BBV

Spahiu: Në të kaluarën vjedhjet e votave kanë qenë edhe më të mëdha se në Prizren, tashmë veçse po zbulohen

Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, ka komentuar aksionin e sotëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, ku mbi 100 persona janë intervistuar si të dyshuar për manipulimin e mbi 68 mijë votave, duke e cilësuar këtë fenomen si të njohur edhe nga zgjedhjet e kaluara.

Sipas Spahiut, raste të vjedhjes së votave kanë ekzistuar edhe më parë, madje në përmasa më të mëdha se ato të zbuluara së fundmi në Prizren, por ato nuk janë diktuar për shkak të mungesës së mekanizmave të avancuar të kontrollit.

“Edhe në të kaluarën ka pasur raste të tilla. Dënimet kanë qenë të vogla. Unë besoj që në të kaluarën vjedhjet e votave janë bërë akoma më të mëdha se në Prizren, sepse zgjedhjet çdo vit e më tepër kanë shkuar duke u perfeksionuar”, deklaroi ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Ai theksoi se ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, tani nuk po flitet për vjedhje votash mes partive politike, pasi sistemi zgjedhor është përmirësuar dhe ka zvogëluar mundësitë për manipulim në këtë formë.

“Nuk po konfirmohet askund që ka pasur vjedhje mes partive. Në të kaluarën ka pasur vjedhje mes partive. Tash sistemi ka shuar duke u perfeksionuar. Problemi është që këto vjedhje nuk janë diktuar pra në të kaluarën”, u shpreh Spahiu.

Ndërkohë, Prizreni sot ka qenë cak i një aksioni të madh të Prokurorisë Themelore, ku janë intervistuar mbi 100 persona të dyshuar për manipulim me më shumë se 68 mijë vota gjatë procesit zgjedhor. Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka bërë të ditur se intervistimit nuk do t’i shmangen as kandidatët të cilëve u janë hequr vota pas rinumërimit. /teve1.info/

Të Ngjashme