Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, e ka cilësuar të turpshme për sistemin e sigurisë në Kosovë nëse rezulton i rremë lajmi për testimin e dronit kamikaz “Skifteri K1”, përkatësisht për aftësinë e tij që të godasë caqe në largësi deri në 1.000 kilometra.
Në emisionin “Info Nata”, Spahiu ka thënë se një situatë e tillë do të ishte skandaloze për institucionet e sigurisë dhe për përgjegjësit që kanë lejuar që kryeministri të bie në një grackë të tillë.
“Nëse është ‘fake news’, atëherë kjo është skandaloze për institucionet e sigurisë dhe për ata që lejojnë që kryeministri të bjerë në një grackë të tillë. Por, nëse nuk është ‘fake news’, atëherë unë i sugjeroj edhe kryeministrit, edhe kompanisë në fjalë, që të dalin dhe ta demonstrojnë. Nëse del që është ‘fake news’, atëherë kjo është e turpshme jo vetëm për kryeministrin, por për të gjithë sistemin e sigurisë në Kosovë dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi,” ka thënë Spahiu.
Ndryshe, dyshimet se dy kompani nga Gjilani kanë mashtruar lidhur me prodhimin e një droni kamikaz po shtohen.
Videoja e publikuar nga kompanitë kosovare, në të cilën pretendohet se droni “Skifter K1” ka goditur një cak në largësi mbi 1.000 kilometra, rezulton të jetë e një kompanie kineze, e cila e ka përdorur më herët për promovimin e fluturakes së saj.
Ministria e Mbrojtjes nuk i ka konfirmuar pretendimet e pronarëve të kompanive “Future Minds Academy” dhe “Miga Skyshield” lidhur me testimin e dronit kamikaz “Skifter K1”, përkatësisht aftësinë e tij për të goditur caqe në distancë deri në 1.000 kilometra.
Një distancë e tillë do të nënkuptonte se, nëse do të lansohej nga Kosova, droni do të kishte mundësi të arrinte deri në gadishullin e Krimesë, në veri të Detit të Zi.
Testohet droni kosovar “Skifteri”, pamje nga godtija e pikave të synuara
