Histori

Spanja shpall tre ditë zie kombëtare pas aksidentit hekurudhor me 39 viktima

Spanja është tronditur nga një aksident i rëndë hekurudhor, ku të paktën 39 persona humbën jetën pas përplasjes së dy trenave me shpejtësi të lartë. Kryeministri Pedro Sánchez u zotua se një hetim i plotë do të zbulojë shkaqet e aksidentit, ndërsa autoritetet shpallën tre ditë zie kombëtare.

Ngjarja ndodhi të dielën në zonën e Adamuzit, kur një tren që po udhëtonte drejt Madridit doli nga shinat dhe përplasi ballë për ballë një tren tjetër që vinte nga drejtimi i kundërt. Përplasja ishte shumë e fuqishme dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale.

Një pasagjer i trenit tregoi për mediat lokale se kishte ndjerë një tronditje të fortë dhe se kishte “ndjesinë sikur i gjithë treni do të shpërbëhej”. Autoritetet konfirmuan se shumica e viktimave dhe të plagosurve ishin në vagonët e parë të trenit që po udhëtonte nga Madridi drejt Huelvës.

Ministri i Transportit, Óscar Puente, tha se aksidenti ndodhi në një pjesë të drejtë të binarëve, duke e quajtur “jashtëzakonisht të çuditshme”. Kompania hekurudhore Iryo njoftoi se treni që po vinte nga Madridi ishte relativisht i ri, i ndërtuar në vitin 2022, dhe ishte inspektuar vetëm katër ditë para aksidentit.

Hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e tragjedisë vazhdojnë, ndërsa vendi mban zi për viktimat e një prej aksidenteve më të rënda hekurudhore të viteve të fundit.

/tiranapost

Të Ngjashme