Lajme

​Spiropali: Kosova prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë

Kosova dhe siguria e saj është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë, tha kryediplomatja Elisa Spiropali.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, gjatë qëndrimit në Kosovë të mërkurën, paralajmëroi intensifikim të lobit shqiptar për njohje të reja për Kosovën, derisa i kërkoi Bashkimit Evropian t’i japë statusin Kosovës për anëtarësim në union. Ajo, pas takimit me homologun e saj nga Kosova, Glauk Konjufca, paralajmëroi se gjatë vitit 2026 do të rikthehen mbledhjet e përbashkëta mes dy qeverive, pas katër vitesh pauzë.

Spiropali: Kosova dhe siguria e saj është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë

“Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë, por e lidhur shumë ngushtësisht me të gjitha zhvillimet e brendshme në Shqipëri dhe në Kosovë. Kjo nuk është retorikë solidariteti dhe as formulë diplomatike, është orientim strategjik i qëndrueshëm shtetëror. Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është interes kombëtar i drejtpërdrejtë i Shqipërisë, përveç se është dëshirë e jona e zemrës. Çdo njohje e re, çdo anëtarësim i ri, çdo hap drejt konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës, është investim në sigurinë, në dinjitetin, në stabilitetin e të gjithë hapësirës sonë shqiptare, por edhe të rajonit. Shqipëria do të intensifikojë angazhimin diplomatik për zgjerimin e njohjeve në koordinim të vazhdueshëm, së bashku krah për krah, por edhe për përparimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, tha ajo.

Spiropali në konferencë të përbashkët për media me Konjufcën tha se siguria e Kosovës është prioritet mbi prioritete për Shqipërinë.

Spiropali: Siguria e Kosovës është siguria e vetë Shqipërisë

Prania e NATO-s dhe roli i KFOR-it mbeten faktorë të pazëvendësueshëm stabiliteti në një Evropë të trazuar nga lufta dhe tensionet gjeopolitike. Siguria nuk është e garantuar, ajo kërkon vigjilencë, koordinim dhe angazhim të vazhdueshëm. Siguria e Kosovës është prioritet mbi prioritete për Shqipërinë dhe siguria e Kosovës është siguria e vetë Shqipërisë. Kjo nuk është figurë retorike, është vlerësim strategjik dhe ne duam ta shohim Kosovën sa më pranë strukturave të NATO-s. Marrëveshja e përbashkët mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë është një element i rëndësishëm, jo vetëm për trajnimet e përbashkëta dhe sigurinë e përbashkët, por edhe për afrimin e Kosovës me strukturat e NATO-s. Mbajtja e samitit të NATO-s në vitin 2027 në Tiranë duhet të jetë një mundësi e shkëlqyer për afrimin e Kosovës me strukturat euroatlantike”, theksoi ajo.

Kryediplomatja shqiptare përmendi edhe dialogun Kosovë-Serbi, ku nënvizoi se ky proces duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

Spiropali: Njohja reciproke është e vetmja bazë për dialogun Kosovë-Serbi

Njohja reciproke është e vetmja bazë e qëndrueshme për një marrëdhënie të shëndoshë mes dy shteteve dhe në rajonin tonë, të lirë nga tensionet e trashëguara. Serbia duhet të pajtohet me këtë realitet, jo si akt presioni, por si hap i domosdoshëm për normalizim të vërtetë. Kjo marrëveshje duhet t’i hapë përfundimisht Kosovës rrugën për anëtarësim të plotë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Në këtë rrugë, Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Kosovën me këmbëngulje, me koordinim të plotë dhe me aleatët tanë, me strategji e qartësi të plotë”, shtoi ajo.

Sa i përket bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë, ajo paralajmëroi se gjatë vitit 2026 do të mbahet mbledhja e përbashkët mes dy qeverive.

Spiropali: Gjatë vitit 2026 do të mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive

Sigurisht, biseduam edhe për takimin e përbashkët mes dy qeverive. Besojmë fort që ka ardhur koha që brenda vitit 2026 të kemi një takim të përbashkët të dy qeverive në Shqipëri ose në Kosovë, ku të diskutohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri më tani, fushat me interes të përbashkët. Në fakt, janë të gjithë sektorët dhe të gjitha prioritetet tona mes dy qeverive duke u implementuar, por edhe mundësia e hapësirave për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja”, përfundoi Spiropali.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, tha se Kosova dhe Shqipëria kanë marrëdhënie vëllazërore, derisa përmendi nevojën e thellimit të marrëdhënieve në fushën politike, ekonomike dhe koordinim të plotë në diplomaci.

Konjufca: Duhet thellim i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë

Në këtë frymë diskutuam sot për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, për koordinim të plotë në politikën e jashtme dhe për forcimin e ndërtimit të kapaciteteve tona të brendshme diplomatike… Kosova është e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të cilat ne i kemi nënshkruar gjatë viteve me Republikën e Shqipërisë e ato janë mbi 140, dhe përafrimin e dy shteteve tona e po ashtu edhe të shoqërive tona në çdo fushë të jetës”, tha ai.

Spiropali, krahas takimit me Konjufcën, është pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri Albin Kurti.

Të Ngjashme