Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka shprehur sot shqetësimin e thellë të qeverisë shqiptare lidhur me zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Prokuroria ka kërkuar dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një deklaratë zyrtare të publikuar në Facebook, Spiropali ka theksuar se po ndiqen me vëmendje dhe shqetësim propozimet për dënime ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke vënë në pah shqetësime serioze për standardet e procesit të rregullt ligjor.
Ajo ka theksuar se kohëzgjatja e paraburgimit, e cila ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar, si dhe natyra e akuzave të ngritura, ngrenë pikëpyetje mbi proporcionalitetin dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.
Sipas saj, kjo situatë ushqen perceptimin e një trajtimi të njëanshëm, veçanërisht kur krahasohet me mënyrën se si janë trajtuar përgjegjësit e aparatit shtypës të regjimit serb, ndërkohë që shumë krime ndaj popullsisë civile të Kosovës mbeten ende pa përgjegjësi të plotë penale.
Spiropali ka theksuar se pabarazia në ndjekjen e drejtësisë rrezikon të krijojë standarde të dyfishta dhe të cenojë besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare.
“Drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, e balancuar dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme, pa krijuar perceptimin e trajtimeve selektive”, ka deklaruar ajo.
Ministrja ka rikujtuar se UÇK-ja ishte një lëvizje çlirimtare e mbështetur gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare dhe ka theksuar se çdo proces gjyqësor duhet të ruajë dallimin mes përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri.
Ajo ka shtuar se Gjykata ka përgjegjësi të veçantë për të garantuar një proces të drejtë, që nuk cenon luftën çlirimtare dhe historinë e pavarësisë së Kosovës.
Në fund, Spiropali ka theksuar se Shqipëria do të vazhdojë ta ndjekë me vëmendje këtë proces dhe mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të shtetit të së drejtës, drejtësisë ndërkombëtare dhe dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
