Lajme

“Starlink” nga dhjetori në Kosovë

Nga dhjetori, kompania amerikane që ofron qasjen në internet përmes satelitëve, “Starlink” pritet të fillojë me ofrimin e shërbimeve në Kosovë. Këtë për Tëvë1 e kanë konfirmuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Kosovë. Por, pavarësisht kësaj, kjo kompani nuk pritet t’u bëj konkurrencë operatorëve vendor që ofrojnë shërbime të internetit, të cila aktualisht ofrojnë dyfishin e shpejtësisë për familjet në 98% të territorit të Kosovës.

Është harta në vendet ku ofron internet përmes satelitëve.

E mbi territorin e Kosovës, ka mbishkrimi “në pritje të miratimit rregullator”

Por, kjo punë u rregullua me 18 tetor.

Kjo pasi Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Kosovë, e autorizoi kompaninë amerikane “Starlink” për ofrimin e qasjes në internet, përmes satelitëve në Kosovë.

Për këtë, kjo kompani amerikane shërbimet në Kosovë pritet t’i ofroj nga dhjetori i këtij viti.

“Sipas informatave që në i kemi dhe nga komunikimet me “Starlink”, ne shpresojmë që ata do të fillojnë me ofrimin e shërbimeve në muajin dhjetor të këtij viti dhe gjithçka është duke u përgatitur nga zyrtarët e tyre që janë prezent edhe në Kosovë”, ka thënë Nazmi Rahimi, kryetar i bordit në ARKEP.

Kryetari i bordit në ARKEP, Nazmi Rahimi, thotë se 98% e territorit të Kosovës tashmë ka qasje në internet përmes operatorëve vendor.

Por, cila është kosto që duhet ta paguajnë kosovarët që duan ta shfrytëzojnë internetin e “Starlink”?

“Ne kemi bërë pyetje për këtë çështje dhe jemi interesuar, varet se në çfarë stadi të zhvillimit është ai shtet, pra konsumi dhe zhvillimi i shtetit, dy çështje e përbëjnë çmimin marrjen e shërbimit nga Starlink, pra marrja e pajisjes që sipas informatave që kemi në Shqipëri kanë qenë diku 500 euro dhe një taksë mujore e shërbimeve të internetit që është diku 65 euro në muaj”, thotë Rahimi.

Megjithëkëtë, “Starlink” nuk pritet t’u bëj konkurrencë operatorëve kabllor në Kosovë, sa i përket shpejtësisë së internetit.

Kjo pasi kompania amerikane pritet të ofrojë internet të shpejtë deri në 250 megabit për sekondë.

Ndërsa inixhineri në “Telkos” Adrian Tërshnjaku, thotë se ekonomive familjare në Kosovë, u ofrohet dyfishi i kësaj shpejtësie.

Kurse kjo shkon deri në 1 gigabite për sekondë, për bizneset në vend.

“Nëse flasim nga këndvështrimi im, nuk është që shohim ndonjë nevojë të madhe për shërbim të tillë, duke i pasur parasysh faktorët e shumtë që janë, siç është kosto e lartë e pajisjeve fillestare, pastaj kosto e papërballueshme e abonimeve mujore. Ne nuk kemi zonë detare ku e kemi të pamundur të kemi mbulueshmëri dhe pastaj theksi i veçantë i saj është pjesa e sigurisë kibernetike, përderisa kemi transmetim radiovalë, aty mundet me pas qasje keqbërësit e mundshëm”, thotë Tërshnjaku.

Starlink-u ofron internet satelitor në mbi 100 shtete dhe zotërohet prej kompanisë hapësinore amerikane, SpaceX, të miliarderit Elon Musk.

Starlink-u, mori vëmendjen me fillimin e luftës në Ukrainë, kur u ofroi internet ukrainasëve pasi u shkëputën linjat tokësore të internetit.