Një stërvitje ushtarake e ushtrisë së Serbisë pranë kufirit me Kosovën ka shkaktuar shqetësim te banorët lokalë.
Dy helikopterë kanë lëshuar rreth gjashtë parashutistë në zonat e Breznicës, Muhovcit dhe Karaqevës.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Bajram Mavriqi, në një prononcim për “Bota sot”, deklaroi se stërvitjet ushtarake të Serbisë pranë komunës nuk janë thjesht manovra rutinë, por provokime që krijojnë pasiguri te qytetarët.
“Stërvitjet ushtarake të Serbisë afër komunës sonë nuk janë thjesht manovra rutinë por janë sinjale të qarta presioni, provokimi dhe përpjekjeje për të mbajtur të hapur një plagë që historia ende nuk e ka shëruar plotësisht. Në një vend që ka paguar shtrenjtë për paqen, çdo lëvizje e tillë ushtarake ringjall kujtime të errëta dhe krijon pasiguri te qytetarët që kërkojnë vetëm stabilitet dhe të ardhme”, tha ai.
Gjithashtu, Mavriqi shprehu shqetësim për provokimet e Serbisë dhe solidaritet me qytetarët e Karaqevës dhe Dardanës, duke theksuar se demonstrimi i forcës pranë kufirit nuk ndërton besim, por ringjall mentalitete të së kaluarës.
“Si përfaqësues i popullit në Kuvend, dhe veçanërisht si dikush që jetoj në këtë komunë, shpreh shqetësimin tim të thellë rreth provokimeve të Serbisë dhe bashkëndjej me qytetarët e Karaqevës dhe tërë Dardanës. Demonstrimi i forcës në afërsi të kufirit nuk ndërton besim por e minon atë. Nuk është gjuhë dialogu, por jehonë e një mentaliteti që i përket së kaluarës”, shtoi ai.
Në fund, Mavriqi theksoi se Kosova ka të drejtë të plotë për siguri dhe integritet territorial, dhe çdo presion ushtarak për ta sfiduar këtë është i papranueshëm dhe i rrezikshëm.
“Kosova, si shtet sovran, ka të drejtën e plotë për siguri dhe integritet territorial. Çdo tentativë për ta sfiduar këtë realitet përmes presionit ushtarak është jo vetëm e papranueshme, por edhe e rrezikshme”, përfundoi Mavriqi.
