Së fundmi, janë raportuar stërvitje të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën, ku janë parë edhe helikopterë duke lëshuar parashutistë.
Këto zhvillime kanë ngritur shqetësime për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, veçanërisht për Kosovën, e cila ende përballet me sfida në raportet me Serbinë.
Madje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Beogradin për shfaqje të “agresionit”.
Duke folur në një mbledhje të kabinetit të tij të enjten, Kurti tha se “jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë, me helikopterë e parashutistë, në zonat e banuara me shqiptarë në Bujanoc, fare pranë kufirit me Kosovën”.
Kurti tha se stërvitjet – të cilat vijnë në një kohë kur Serbia bleu raketa shkatërruse kineze – u zhvilluan pranë shtëpive, shkollave dhe qendrave të mjekësisë, pa ofruar më shumë hollësi.
“Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaçevë nga njësia e brigadës 63 të parashutistëve të Serbisë, përmes stërvitjeve me helikopterë H145M dhe kërcënimeve me parashutë disa metra larg kufirit me Kosovën, përbëjnë shfaqje të rrezikshme të agresionit”, tha Kurti.
Meha: Edhe Serbia edhe Rusia presin ndonjë moment të volitshëm për të ripushtuar Kosovën
E në lidhje me këtë çështje dhe rreziqet që sinjalizojnë këto stërvitje të ushtrisë serbe, për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Xhevat Meha.
Ai vlerëson se ushtrimet ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën përbëjnë rrezik real dhe nuk janë të rastësishme.

Xhevat Meha.
Sipas tij, ato synojnë të ushtrojnë presion dhe të mbajnë të gatshme forcat për ndërhyrje të mundshme. Po ashtu, eksperti, shton se Serbia dhe Rusia po presin një moment të favorshëm, duke përfituar edhe nga angazhimi i SHBA-ve në fronte të tjera.
“Është raportuar se ushtria serbe këto ditë është duke mbajtur ushtrime ushtarake afër kufirit me Kosovën. Se a paraqesin rrezik për Kosovën apo jo, kjo pyetje as që duhet shtruar. Sigurisht që paraqesin rrezik për Kosovën. Nuk i mban Serbia këto ushtrime kot së koti – janë të kalkuluara. Minimumi i këtyre ushtrimeve ushtarake është presioni që i mbahet Kosovës. Por këto mund të paraqesin edhe nivele të tjera të rrezikimit.
Edhe Serbia edhe Rusia presin ndonjë moment të volitshëm për të ripushtuar Kosovën. Në gjendjen e përgjithshme të sigurisë ndërkombëtare, me angazhimin e SHBA-ve në disa fronte, Serbia dhe Rusia qëndrojnë të përgatitura për ndërhyrje ushtarake në Kosovë. Me këso lloj ushtrimesh ushtarake, Serbia i mban të mobilizuara dhe të përgatitura institucionet e sigurisë për ndonjë ndërhyrje eventuale”, deklaroi ai.
Berisha: Rreziku real aktualisht mbetet i ulët dhe situata nuk duhet të shkaktojë panik
Kurse, njohësi i sigurisë, Fidair Berisha thotë se stërvitjet ushtarake pranë kufirit me Kosovë janë më shumë demonstrim force sesa kërcënim i menjëhershëm.
Ai thekson se, falë pranisë së KFOR, nuk ka indicie për ndërhyrje ushtarake në afat të shkurtër dhe një përshkallëzim i madh mbetet pak i mundshëm.

Fidair Berisha
“Stërvitjet ushtarake pranë kufirit zhvillohen nga shumë shtete edhe për qëllime trajnimi, ndërsa në rastin konkret këto stërvitje paraqesin më shumë një demonstrim force, duke pasur parasysh marrëdhëniet e tensionuara me Kosovën.
Sa i përket asaj nëse përbëjnë kërcënim real, mendoj se momentalisht nuk ka indicie të forta se këto stërvitje paraqesin një rrezik të menjëhershëm për ndonjë ndërhyrje ushtarake. Kosova është nën praninë e KFOR,i cili ka mandat të qartë për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin. Çdo përshkallëzim i madh do të kishte pasoja të gjera ndërkombëtare, gjë që e bën një skenar të tillë pak të mundshëm në afat të shkurtër”, theksoi Berisha për “Bota sot”.
Krahas kësaj, ai shtoi se, veprimet e Serbisë janë kryesisht demonstrim force për publikun e brendshëm dhe jo rrezik i drejtpërdrejtë. Ai thekson se përdorimi i helikopterëve dhe parashutistëve është pjesë normale e stërvitjeve ushtarake.
Megjithatë, sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të mbeten vigjilente, pasi tensionet ekzistojnë dhe çdo veprim duhet trajtuar me seriozitet. Ai pranon se shqetësimi i qytetarëve është i kuptueshëm, por nënvizon se rreziku real aktualisht mbetet i ulët dhe situata nuk duhet të shkaktojë panik.
“Serbia është e njohur për politikën e saj destruktive në raport me Kosovën, andaj kjo mund të jetë më shumë një demonstrim force për publikun e brendshëm në Serbi, sesa një rrezik real.
Sa i përket helikopterëve dhe parashutistëve, ata nuk janë vetvetiu shenjë e një rreziku të menjëhershëm; sigurisht që janë pjesë e stërvitjeve standarde ushtarake.
Natyrisht, kërkohet vigjilencë e lartë nga institucionet e Kosovës, sepse ky është një sinjal se tensionet janë të pranishme dhe kurrsesi nuk duhet të neglizhohet asnjë veprim nga ana e Serbisë.
Qytetarët e Kosovës me të drejtë shqetësohen nga veprimet e Serbisë, sepse situata të tilla krijojnë pasiguri, përkundër faktit se rreziku real është i ulët.
Megjithatë, një fakt duhet kuptuar gjithmonë: çdo armatosje dhe zhvillim në Serbi duhet të merret seriozisht, por asnjëherë me panik” – përfundoi Fidair Berisha për “Bota sot”.
