Lajme

Strategjitë e dezinformimit në Ballkan, Venhari: Rusia dhe Serbia përdorin dezinformatat për të sulmuar Kosovën

Rusia ka zhvilluar një strategji të sofistikuar dezinformimi që përdor narrativa të ndryshme për të manipuluar opinionin publik dhe për të përhapur ndikimin e saj në rajon, thotë Gynen Venhari, drejtor i “The Geopost”. Ai fokusohet në metodologjinë e dezinformimit të përdorur nga Rusia dhe Serbia kundër Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, derisa përmend tri narrativa kryesore që Rusia përdor për të sulmuar Kosovën.

Narrativa e bombardimit të NATO-s – ku Rusia e paraqet aleancën si një strukturë antiserbe, pavarësia e Kosovës – të cilën Rusia përpiqet ta lidhë me ngjarje si Krimea dhe Osetia, si dhe liberalizimi i vizave – që është përdorur për të shpërndarë një narrativë të rreme për “spastrim etnik” në Kosovë, janë narrativat kryesore mbi të cilat sipas Venharit, Rusia ndërton dezinformata për vendin tonë.

“Narrativat e rusëve për Ballkanin Perëndimor dallojnë varësisht nga shteti, por janë disa pika që janë të përbashkëta. Nëse fokusohemi për Kosovën, tri janë kryesisht, të cilat dominojnë; e para është bombardimi i NATO-s ku dëshirojnë ta paraqesin NATO-n si një strukturë antiserbe dhe të cilën e dëshirojnë ta përdorin edhe vendet e tjera; narrativa e dytë që dominon në Ballkan është edhe pavarësia e Kosovës që dëshirojnë ta bëjnë një paralele me Krimenë, rastin e Gjeorgjisë me Osetinë Jugore dhe tash me krahinat që i kanë pushtuar agresioni rus në Ukrainë, Donbasi dhe pjesë tjera. Ndërsa narrativa e re, të cilën e kemi veçuar sidomos pas vitit të ri është kur Kosova e fiton për herë të parë liberalizimin e vizave për të hyrë në zonat Schengen nga 1 janari dhe kjo narrativë përdoret nga [zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria] Zakharova në koordinim me ministrin e Jashtëm rus [Sergei] Lavrov se do të ketë pastrim etnik të serbëve në Kosovë, duke përdorur liberalizimin e vizave. Kjo d.m.th nuk qëndron, i kemi bërë disa argumente disa herë që liberalizimi i vizave është duke u negociuar nga BE-ja që 10 vjet dhe kjo nuk ka të bëjë fare”.

Venhari ka bërë të ditur se ata fusin edhe elementin që Brukseli dhe Qeveria e Kosovës është e koordinuar që ta bëjë një spastrim etnik të serbëve të Kosovës. Dhe, thotë ai, ky narracion është duke vazhduar herë pas here deri në përfundimin e mediave në Serbi, kanaleve të tyre të Tëitter-it dhe Telegramit dhe në fund e ka përdorur edhe presidenti serb në një debat televiziv.

Venhari ka thënë se narrativa kryesore që nga agresioni rus në Ukrainë ka qenë përdorimi i elementit të nazizmit duke i krahasuar disa organizata atje si dhe ukrainasit si nazistët.

“Narrativa kundër ukrainasve që është e dominuar mjaft edhe në portalet dhe disa mediume në Serbi siç janë Informer dhe Alo e po ashtu edhe Sputniku i Serbisë dhe RT Balkan që është mjaft aktiv. Doktrina e rusëve është mjaft mirë e strukturuar dhe e kanë metodologjinë e vet dhe baza e tyre nuk është e shoqërisë civile që nganjëherë Perëndimi dhe BE-ja mundohen t’i paraqesin nganjëherë troll-at e rusëve që vijnë nuk janë nga ana e shoqërisë civile”, u shpreh ai me rastin e lansimit të raportit për narrativat ruse nga hibrid.info.

“Prapa tyre qëndrojnë agjentë të inteligjencës ushtarake apo edhe atë civile ruse, GRU dhe FSB. Ata janë njerëz shtetërorë të cilët e fillojnë sulmin dhe narrativat – pra i fillon Ministria e Jashtme, Zakharova kryesisht dhe ata me komentet e tyre fillojnë nxitjen dhe ndarjen e tyre në Twitter, Facebook pak më pak për shkak të ndryshimeve që i kanë bërë dhe fokusi i veçantë tani është Telegrami”, ka thënë ai.

Venhari tha gjithashtu se për sa i përket tentativës për ndikim rus në Kosovë se fati i Kosovës është që është pro-perëndimore me një shumicë të madhe dhe, ai tha se ne këtë duhet ta kultivojmë dhe ta ruajmë që të mos ketë elemente sepse në çdo shoqëri mund të ketë elemente të vogla, të cilët Rusia me një finesë mjaft elegante i përdor.

Venhari tha se në Serbi rasti është tjetër për shkak që një shumicë e popullatës është pro-ruse dhe aty e kanë metodologjinë e zhvilluar.

“Aseti më i madh i rusëve janë njerëzit e pozicionet si në çdo luftë hibride. Pra pozicionet janë asetet më të vlefshme që ata i përdorin. Në Serbi janë mjaft shumë po ashtu edhe në Mal të Zi e Bosnjë e Hercegovinë dhe në vendet e tjera, në Bullgari ku janë mjaft aktivë”, është shprehur ai.

Venhari ka folur edhe për targetet që Rusia i synon në rrjetet sociale për të manipuluar me një nacionalizëm me elemente dhe simbole të shqiptarëve.

“Ka elemente, ka boots që i kemi targetuar sidomos në Twitter, ka boots të shumtë rusë që prapavijën e kanë nacionaliste tipike shqiptare, me elemente të Shqipërisë së Madhe dhe këto faktorë që nxisin shumë debate tek ne. Kjo është një nga taktikat që e përdorin, nuk e kisha eliminuar edhe religjionin, por s’e kemi analizuar këtë pjesë aq shumë. Në këto pika jemi të prirur që mund ta fusin elemente të ndryshme”, tha ai.

Venhari tha se edhe Serbia imiton Rusinë dhe anasjelltas në luftën e tyre të përbashkët për dezinformata kundër Kosovës.

Ai kritikon mungesën e një strategjie të koordinuar të shtetit të Kosovës për të luftuar dezinformatat dhe sugjeron se më shumë financim dhe mbështetje duhet t’iu jepet mediave dhe organizatave që luftojnë dezinformimin. Ai ofron modelin e “The Geopost” si një shembull të mundshëm për të luftuar këtë fenomen nëpërmjet raportimeve në disa gjuhë, përfshirë shqipen, serbishten, anglishten dhe ukrainashten.