Lajme

Stresi lirohet, pagoi dorëzani 20 mijë euro

Reperi nga Shqipëria, Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, është liruar nga paraburgimi në stacionin policor të Pejës të shtunën pasi ka paguar dorëzani prej 20 mijë eurosh.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka thënë se në seancën e sotme dëgjimore prokurori ia ka mundësuar Stresit edhe mundësinë për të paguar dorëzani shkaku i veprës penale me të cilën ngarkohet.

“Personi i pandehur e ka paguar dorëzaninë, e cila është si lloj garance që të jetë prezent në procedurat gjyqësore që zhvillohen për këtë çështje penale”, ka thënë Nikçi.

Stresi po dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale “lëndim i rëndë trupor”, por Nikçi ka thënë se vepra mund të rikualifikohet pas rezultateve të ekzaminimeve mjekësore që kanë marrë për viktimën.