Një studim i fundit në Australi ka konfirmuar se mungesa e vitaminës C lidhet drejtpërdrejt me lodhjen kronike, shërimin e ngadaltë të plagëve dhe gjakderdhjen e mishrave të dhëmbëve. Vitamina C, ose acidi askorbik, është një lëndë ushqyese thelbësore për forcimin e imunitetit, prodhimin e kolagjenit dhe ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm.
Edhe pse sot mungesa e saj duket e rrallë, sidomos në vendet e zhvilluara, hulumtimet tregojnë se është ende e përhapur – veçanërisht tek të moshuarit dhe pacientët e shtruar në spital. Njohja e hershme e simptomave, sipas ekspertëve, është kyçe për të parandaluar probleme më serioze si skorbuti dhe dobësimi i imunitetit.
Disa nga shenjat më të shpeshta të mungesës së vitaminës C janë lodhja e vazhdueshme, mavijosja e lehtë, mishrat e dhëmbëve të ndjeshëm e që gjakosen, lëkura e thatë dhe e ashpër, shërimi i ngadaltë i plagëve, si edhe dhimbjet në kyçe.
Mjekët këshillojnë që mënyra më e mirë për të siguruar nivele të mjaftueshme të vitaminës C është përmes një diete të pasur me fruta dhe perime, si agrumet, manaferrat, specat dhe brokoli. Në raste të mungesës së rëndë, rekomandohet konsultimi me mjekun për përdorimin e suplementeve.
Marrja e rregullt e vitaminës C ndihmon në forcimin e trupit, përmirësimin e shëndetit të lëkurës dhe rritjen e vitalitetit të përditshëm.
