Shëndetësi

Studimi: Burrat me probleme me zemrën shfaqin rënie të aktivitetit të trurit më shpejt se gratë

Një studim i ri tregon se burrat me faktorë rreziku për sëmundjet e zemrës humbasin shëndetin e trurit më shpejt se gratë me të njëjtin rrezik.

Sipas hulumtimit të publikuar në Journal of Neurology Neurosurgery and Psychiatry, burrat fillojnë të përjetojnë rënie të funksionit të trurit që në moshën 55-vjeçare, ndërsa gratë bëhen më të ndjeshme nga mosha 65 vjeçare e tutje.

Studiuesit, të udhëhequr nga profesori Paul Edison i Imperial College London, theksojnë se faktorët e rrezikut për sëmundjet e zemrës si diabeti i tipit 2, obeziteti, hipertensioni dhe pirja e duhanit janë të lidhur me një rrezik më të madh për demencë. Ata sugjerojnë se trajtimi i këtyre faktorëve është kyç në parandalimin e sëmundjes Alzheimer, veçanërisht tek burrat, ku duhet të nisë më herët.

Për këtë studim, u analizuan të dhënat e 34 mijë e 500 pjesëmarrësve të Biobank-ut të Britanisë, dhe u përdorën skanime për të ndjekur ndryshimet në trurin e tyre gjatë kohës. Rezultatet treguan se faktorët e rrezikut të zemrës, si obeziteti dhe yndyra e barkut, shkaktojnë humbje graduale të volumit të trurit gjatë disa dekadave.

Burrat ishin më të prekur nga mosha 55 deri në 74 vjeç, ndërsa gratë nga mosha 65 deri në 74 vjeç.

Studimi sugjeron që kontrollimi i shëndetit kardiovaskular përmes uljes së presionit të gjakut, kolesterolit dhe sheqerit në gjak, aktivitetit fizik dhe lënies së duhanit mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të trurit dhe parandalimin e demencës dhe sëmundjeve të tjera neurodegjenerative.