Një ëmbëlsues i përdorur gjerësisht në produkte si çamçakëzët, pasta e dhëmbëve, reçeli, kosi dhe akullorja është lidhur me një rrezik më të lartë për infarkt, goditje në tru dhe vdekje, sipas një studimi të ri.
Bëhet fjalë për ksilitolin, po përdoret gjithnjë e më shumë si ëmbëlsues në ushqime, pije dhe produkte të kujdesit oral.
Studiuesit analizuan të dhënat e 17,710 personave dhe krahasuan individët me nivelet më të larta të ksilitolit në gjak me ata që kishin nivelet më të ulëta.
Rezultatet treguan se personat në grupin me nivelet më të larta kishin 57% më shumë gjasa të pësonin një ngjarje të rëndë kardiovaskulare, si infarkt ose goditje në tru, ose të humbnin jetën, gjatë gjashtë viteve të ndjekjes.
Edhe pas një periudhe më të gjatë, prej 30 vitesh, rreziku mbetej më i lartë, me rreth 18% më shumë gjasa për një prej këtyre ngjarjeve.
Gjetjet u prezantuan në Mynih në kongresin vjetor të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë (ESC), konferenca më e madhe e kardiologjisë në botë. Autori i studimit, Dr. Marco Witkoëski, tha se kërkimet e mëparshme kishin treguar se ksilitoli mund të rrisë aftësinë e trombociteve për të formuar mpiksje gjaku.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se studimi është vëzhgues dhe nuk provon se ksilitoli shkakton drejtpërdrejt infarktet apo goditjet në tru. Për të përcaktuar nëse ekziston një lidhje shkakësore, nevojiten studime të mëtejshme.
Rekomandimi i ekspertëve mbetet kufizimi i ushqimeve dhe pijeve të përpunuara dhe ndjekja e një diete të balancuar.
