Shëndetësi

Studimi i ri sugjeron se ëmbëlsuesi i aspartamit dëmton shëndetin e trurit dhe zemrës

Aspartami është një ëmbëlsues artificial që gjendet zakonisht në produkte si çamçakëzi, pije të gazuara dhe ëmbëlsues tavoline, por studime të reja mbi minjtë sugjerojnë se edhe sasi të vogla mund të dëmtojnë shëndetin e zemrës dhe trurit me kalimin e kohës.

Në studim, studiuesit në Spanjë shtuan doza të ulëta të aspartamit në dietën e minjve meshkuj për disa ditë çdo dy javë për një vit. Sasia e dhënë ishte e barabartë me rreth një të gjashtën e dozës ditore, që konsiderohet e sigurt për njerëzit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Studiuesit vunë re se minjtë që konsumuan aspartam, humbën më shumë peshë sesa ata që nuk e konsumuan, duke e përfunduar studimin me 10-20% më pak yndyrë trupore. Megjithatë, ata treguan gjithashtu shenja të problemeve të mundshme me zemrën dhe trurin.

Studiuesit zbuluan se zemrat e këtyre minjve nuk pomponin gjak në mënyrë aq efikase dhe treguan ndryshime të vogla strukturore, duke sugjeruar stres të shtuar në zemër.

Ndryshime u vunë re gjithashtu në mënyrën se si truri përdorte glukozën. Ata vunë re se përdorimi i glukozës u rrit në fillim, por në fund të studimit, ai ra ndjeshëm, gjë që mund të ndikonte në funksionin e trurit.

Aspartami është një përbërës kimik i prodhuar nga bashkimi i dy aminoacideve, blloqeve ndërtuese të proteinave. Edhe pse aspartami është konsideruar prej kohësh si faktor që rrit rrezikun e kancerit, nuk janë gjetur prova shkencore që e mbështesin këtë.

Megjithatë, një studim i shtatorit me pothuajse 13,000 njerëz lidhi aspartamin dhe ëmbëlsuesit e tjerë me rënien e aftësive njohëse, veçanërisht tek pacientët me diabet.

Minjtë e testuar në studimin e fundit gjithashtu performuan më keq në testet e kujtesës dhe të të nxënit. Ata lëviznin më ngadalë dhe u duhej më shumë kohë për të përfunduar detyrat e labirintit, duke treguar një rënie të lehtë njohëse.

“Derisa pasojat neurologjike të aspartamit të kuptohen më mirë, fëmijët dhe adoleshentët ndoshta duhet ta shmangin aspartamin sa më shumë që të jetë e mundur, veçanërisht si një përbërës të rregullt të dietës”, thonë autorët e studimit të fundit.

Studiuesit thanë se këto ndryshime në tru ishin relativisht të lehta, krahasuar me studimet e mëparshme ku minjtë konsumonin aspartam çdo ditë ose për periudha më të shkurtra. Ata shtuan se nevojiten më shumë kërkime për të zbuluar nëse efekte të ngjashme, mund të ndodhin edhe tek njerëzit.

“Këto gjetje sugjerojnë që aspartami në doza të lejuara mund të kompromentojë funksionin e organeve kryesore, dhe për këtë arsye do të ishte e këshillueshme të rivlerësoheshin kufijtë e sigurisë për njerëzit”, përfundoi studimi./ DPA News.

Të Ngjashme