Çfarë do të thotë në të vërtetë të kujdesemi për veten? Shpesh mendojmë për palestër, ushqim të shëndetshëm apo aktivitete sociale, por e vërteta është se kujdesi për veten nuk duhet të jetë gjithmonë një angazhim i madh.
Ka mënyra shumë më të thjeshta, të përditshme dhe të arritshme për të gjithë, që mund të na bëjnë të ndihemi më mirë pa e komplikuar jetën.
Në thelb, kujdesi për veten nis nga marrëdhënia që kemi me veten. Nuk duhet të jetë një detyrë tjetër në listën tonë të gjatë, por diçka që e bëjmë me lehtësi dhe dashuri. Në një përditshmëri të ngarkuar, ajo që na duhet është pikërisht kjo: momente të vogla që na rikthejnë tek vetja.
Ja katër mënyra të pazakonta, por shumë efektive për t’u kujdesur për veten pa u lodhur:
1. Merr frymë…
Në mes të një dite të ngarkuar, ndalo për pak sekonda dhe fokusohu tek frymëmarrja. Mbyll sytë ose fikso shikimin në një pikë dhe merr frymë thellë. Në çdo frymëkëmbin që bën, imagjino energjinë që hyn në trupin tënd dhe tensionin që largohet.
Është një ushtrim i thjeshtë, por që të ndihmon të rifitosh qetësinë dhe kontrollin mbi veten.
2. Lëre telefonin mënjanë
Telefoni është një nga shpërqendrimet më të mëdha të ditëve tona. Njoftimet e vazhdueshme na ndërpresin aktivitetet dhe na bëjnë të humbasim fokusin. Duke e lënë për pak kohë mënjanë, do të vëresh se bëhesh më i/e pranishëm në atë që po bën dhe më i/e kënaqur me veten. Ndonjëherë, shkëputja është forma më e mirë e kujdesit për veten.
3. Bëj pyetje
Të bësh pyetje nuk është thjesht kureshtje, por një mënyrë për t’u vetëzhvilluar . Pyetjet hapin horizonte të reja, nxisin reflektimin dhe të ndihmojnë të rritesh. Një mendje aktive dhe e hapur është thelbësore për mirëqenien tonë.
4. Ndihmo të tjerët
Kujdesi për veten nuk është gjithmonë një proces egoist. Në fakt, ndihma ndaj të tjerëve është një nga mënyrat më të fuqishme për t’u ndier mirë me veten. Kur ndihmon dikë, krijon një ndjenjë vlere dhe përmbushjeje që rikthehet tek ti në formën e mirëqenies.
Në fund të ditës, kujdesi për veten nuk ka të bëjë me perfeksionin, por me vëmendjen ndaj vetes. Janë gjërat e vogla, të bëra me qëllim, ato që sjellin ndryshimin më të madh.
