Në vitet e fundit është vënë re një rritje e trendit të njerëzve që zgjedhin të mos jenë në një lidhje romantike apo në një marrëdhënie të përkushtuar si martesa. Arsyeja pse gjithnjë e më shumë persona vendosin të jetojnë vetëm mbetet ende e paqartë, por një studim i ri është përpjekur të kuptojë se çfarë karakteristikash kanë të përbashkëta njerëzit që qëndrojnë beqarë për periudha të gjata, apo edhe gjatë gjithë jetës.
Studimi i titulluar “Dallimet midis beqarëve gjatë gjithë jetës dhe individëve që kanë qenë gjithmonë në partneritet në pesë tiparet kryesore të personalitetit dhe kënaqësinë në jetë”, i publikuar në revistën shkencore Psychological Science, ka analizuar tiparet e personalitetit të njerëzve që nuk kanë qenë në marrëdhënie afatgjata.
Studiuesit përdorën të dhëna nga SHARE, një studim i madh ndërkombëtar që përfshin më shumë se 140 mijë të anketuar nga 28 vende, përfshirë 27 shtete europiane dhe Izraelin. Duke u bazuar në modelin e njohur psikologjik të “pesë tipareve të mëdha të personalitetit”, ata zbuluan se tre prej këtyre tipareve shfaqen më rrallë tek njerëzit që mbeten në marrëdhënie, ndërsa janë më të zakonshme tek ata që qëndrojnë beqarë.
Mungesa e ekstraversionit
Tipari i parë lidhet me ekstraversionin, që nënkupton prirjen për të qenë social, komunikues dhe për të marrë energji nga ndërveprimet me njerëzit e tjerë. Personat më introvertë shpesh shmangin situatat sociale dhe takimet e reja, gjë që mund ta bëjë më të vështirë krijimin e lidhjeve romantike.
Sipas studiuesve, njerëzit që nuk janë shumë ekstrovertë kanë më pak gjasa të kërkojnë shoqëri të reja ose të krijojnë kontakte që mund të çojnë në një marrëdhënie. Në disa raste, kjo mund të interpretohet edhe si mungesë interesi ose apati ndaj aktiviteteve që zakonisht lidhen me takimet romantike.
Më pak hapje ndaj përvojave të reja
Një tjetër tipar që lidhet me qëndrimin beqar është mungesa e hapjes ndaj përvojave të reja. Personat që janë më pak të hapur shpesh e kanë më të vështirë të pranojnë ndryshime në jetën e tyre apo të krijojnë lidhje të reja.
Sipas ekspertëve, kjo mund të ndikojë edhe në aspektin emocional të marrëdhënieve. Në disa raste, introversioni i theksuar mund të çojë në vështirësi për të shprehur ndjenjat, gjë që mund të krijojë distancë emocionale në një lidhje.
Edhe pse jo të gjithë njerëzit janë të prirur të flasin hapur për emocionet, një nivel i caktuar komunikimi emocional është thelbësor për një marrëdhënie të shëndetshme.
Mungesa e ndërgjegjes
Tipari i tretë lidhet me ndërgjegjen, që përfshin aftësinë për të kuptuar veprimet tona dhe ndikimin që ato kanë tek të tjerët.
Personat me nivel të lartë ndërgjegjeje priren të jenë më të kujdesshëm ndaj nevojave dhe ndjenjave të partnerit, gjë që ndihmon në krijimin e marrëdhënieve më të qëndrueshme.
Studime të mëparshme kanë treguar gjithashtu se ndërgjegjja e lartë tek një ose të dy partnerët lidhet me kënaqësi më të madhe në marrëdhënie dhe më pak konflikte, siç ka theksuar edhe psikologia Dr. Jessica Koehler në analizat e publikuara për Psychology Today.
