Shëndetësi

Studimi në SHBA zbulon mbi 600 lidhje mes endometriozës dhe sëmundjeve të tjera, thirrje për ndryshim rrënjësor në diagnozë dhe trajtim

Një studim i fundit në SHBA ka zbuluar mbi 600 korrelacione midis endometriozës dhe një sërë problemesh të tjera shëndetësore, duke forcuar idenë se kjo nuk është vetëm një sëmundje gjinekologjike, por një çrregullim shumë-sistemik që ndikon në të gjithë trupin.

Studiuesit nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko (UCSF) analizuan të dhënat e mbi 43 mijë pacientëve në gjashtë qendra shëndetësore, duke përdorur algoritme të avancuara për të identifikuar modelet e fshehura në historitë mjekësore.

Lidhjet e gjetura përfshijnë sëmundje të njohura si infertiliteti, por edhe probleme më pak të parashikuara si migrena, disa lloje kanceri, astma, sëmundje autoimune, Crohn-i, madje edhe çrregullime të syve. “Ky është lloji i të dhënave që na duhen për të lëvizur gjilpërën, e cila nuk ka lëvizur prej dekadash,” tha Dr. Linda Giudice, bashkautore e studimit dhe mjeke-shkencëtare në UCSF.

Endometrioza, e cila prek një në dhjetë gra në mbarë botën, shpesh neglizhohet, diagnostikohet me vonesë dhe trajtohet në mënyrë të kufizuar, zakonisht me terapi hormonale ose ndërhyrje kirurgjikale. Megjithatë, shumë paciente nuk gjejnë lehtësim afatgjatë, madje edhe pas histerektomisë – një ndërhyrje drastike që përfshin heqjen e mitrës.

“Ndikimi në jetën e pacientëve është i jashtëzakonshëm – nga dhimbja e përditshme te ndikimi në marrëdhënie, punë dhe mirëqenie mendore,” tha Giudice. Studiuesit besojnë se rezultatet e reja mund të përshpejtojnë diagnozën dhe të hapin rrugën për trajtime më të përshtatura dhe më efektive për këtë gjendje komplekse.

“Shpresojmë që kjo të nxisë një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si i qasemi këtij çrregullimi,” përfundoi Marina Sirota, bashkautore e studimit dhe profesoreshë e pediatrisë në UCSF.

Të Ngjashme