Një dritë jeshile ka ardhur nga Spanja për luftën kundër kancerit të pankreasit.
Edhe pse studiuesit theksojnë se nevojitet ende kohë përpara se terapia të testohet tek njerëzit, lajmi konsiderohet një hap i rëndësishëm në kërkimin shkencor.
Sipas një studimi të publikuar në revistën prestigjioze shkencore PNAS, adenokarcinoma duktale e pankreasit, forma më e zakonshme dhe më vdekjeprurëse e këtij tumori, ka shfaqur regresion të plotë në modelet shtazore, konkretisht te minjtë, për një periudhë prej rreth 200 ditësh. Ky efekt është arritur përmes një kombinimi të tre barnave, pa u shoqëruar me efekte anësore të rënda, një element që e bën rezultatin edhe më domethënës.
Studimi është udhëhequr nga profesori Mariano Barbacid, drejtor i ekipit të Onkologjisë Eksperimentale në Qendrën Kombëtare Spanjolle për Kërkime mbi Kancerin (CNIO). Duke komentuar rezultatet, Barbacid u shpreh se për herë të parë është arritur një përgjigje e plotë, e qëndrueshme dhe me toksicitet të ulët kundër kancerit të pankreasit në modele eksperimentale. Sipas tij, këto të dhëna tregojnë se strategjia e terapive të kombinuara mund të ndryshojë rrjedhën e këtij tumori në të ardhmen.
Megjithatë, vetë studiuesit janë të kujdesshëm në pritshmëri, duke theksuar se rezultatet janë ende të kufizuara në fazën paraklinike dhe se nevojiten studime të mëtejshme përpara se kjo terapi të testohet në pacientë njerëzorë.
Mariano Barbacid është një bio-kimist molekular me reputacion ndërkombëtar, i njohur për kontributin e tij të rëndësishëm në fushën e onkologjisë dhe për zbulimet mbi onkogjenet. Ai është themelues dhe drejtues i CNIO-së, e cila sot konsiderohet një nga qendrat kryesore të kërkimit mbi kancerin në nivel global.
