Shëndetësi

Studimi: Terapia me kombinim të trefishtë që eliminon tumoret pankreatike

Një studim i ri nga studiuesit në Spanjë zbuloi se terapia e trefishtë eliminon tumoret pankreatike te minjtë.

Kanceri i pankreasit është një nga tumoret më agresive me prognozën më të keqe, pjesërisht për shkak të shfaqjes së shpejtë të rezistencës ndaj trajtimit. Por një studim i ri nga Qendra Kombëtare Spanjolle e Kërkimit të Kancerit (CNIO), zbulon se është e mundur të eliminohen tumoret pankreatike te minjtë dhe të parandalohen ato nga rikthimi, duke përdorur terapi të kombinuar të trefishtë.

“Këto studime hapin rrugën për të hartuar terapi të reja të kombinuara, që mund të përmirësojnë mbijetesën e pacientëve me adenokarcinomë duktale pankreatike”, thanë autorët në një deklaratë. “Këto rezultate përcaktojnë drejtimin për zhvillimin e provave të reja klinike”, shtuan ata.

Rezultatet, të botuara në revistën shkencore ‘PNAS’, tregojnë se synimi i njëkohshëm i tre pikave kyçe të rrugës molekulare të onkogjenit KRAS, arrin regresion afatgjatë të tumorit. Në Spanjë, çdo vit diagnostikohen më shumë se 10,300 raste të këtij lloji kanceri, me një shkallë mbijetese pesëvjeçare prej më pak se 10 përqind.

Çelësi i këtij zbulimi qëndron në shmangien e rezistencës, që shfaqet kur onkogjeni bllokohet në një pikë të vetme. Ekipi i CNIO kombinoi një frenues eksperimental të KRAS, një ilaç tashmë i miratuar për kancerin e mushkërive, me një degradues proteinash, duke rezultuar në zhdukjen e tumoreve pa efekte anësore të rëndësishme në tre modele të ndryshme shtazore.

Edhe pse rezultati mund të jetë një moment historik në luftën kundër kancerit, autorët e studimit dhanë paralajmërim.

“Ne ende nuk jemi në gjendje të kryejmë prova klinike me terapi të trefishtë. Vetë autorët paralajmërojnë se optimizimi i këtij kombinimi për pacientët do të jetë një proces kompleks, megjithëse janë të bindur se zbulimi do të përcaktojë rrjedhën e provave të ardhshme”, thanë ata./ Euronews.

Të Ngjashme