Ballkani pritet të përballet me një valë të motit ekstrem gjatë orëve në vijim. Qendra Evropiane për Parashikimin e Stuhive ka lëshuar alarmin më të lartë, niveli 3, për një pjesë të rajonit, duke paralajmëruar zhvillimin e stuhive të fuqishme nga dita e martë deri në orët e para të së mërkurës.
Sipas parashikimeve, zonat më të rrezikuara janë jugu i Kroacisë, jugu i Bosnjë-Hercegovinës, Mali i Zi dhe Kosova, ndërsa Shqipëria është përfshirë në zonën e alarmit të nivelit 1, ku priten fenomene atmosferike me intensitet më të ulët dhe shtrirje më të kufizuar.
Meteorologët paralajmërojnë se mbi rajon mund të formohen superqeliza dhe sisteme të organizuara stuhish, të afta të prodhojnë breshër me përmasa të mëdha, erëra me intensitet shkatërrues, reshje të dendura dhe, në raste të izoluara, edhe tornado.
Sipas tyre, ekziston mundësia që stuhitë e krijuara mbi Itali të kalojnë Detin Adriatik dhe të godasin Ballkanin Perëndimor.
Përveç vendeve të Ballkanit, alarm i nivelit 2 është shpallur edhe për disa zona të Italisë, Rumanisë dhe Bullgarisë. Autoritetet dhe qytetarët këshillohen të ndjekin njoftimet zyrtare të shërbimeve meteorologjike dhe të tregojnë kujdes, pasi kushtet atmosferike mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në zonat e prekura.
