Bota

Stuhia e fuqishme e dëborës bllokon verilindjen e SHBA-së, mbyllen shkollat dhe anulohen mijëra fluturime

Një stuhi e rëndë dëbore ka goditur verilindjen e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar kaos në transport, ndërprerje masive të energjisë elektrike dhe mbyllje të shumta shkollash. Miliona banorë u përballën me reshje intensive dhe temperatura të ulëta, ndërsa meteorologët paralajmërojnë afrimin e një sistemi tjetër, më pak të fuqishëm.

Në disa zona, trashësia e borës kaloi 60 centimetra, ndërsa në Rhode Island u regjistruan mbi 90 centimetra, duke thyer rekordin e vendosur nga stuhia historike e vitit 1978.

Shkollat në disa qytete të Massachusetts, përfshirë Boston dhe Hartford, pezulluan mësimin. Ndërkohë, në New York City mbi 900 mijë nxënës vijuan procesin mësimor, ku sipas raportimeve rreth 63% e tyre ishin të pranishëm.

Stuhia ndikoi ndjeshëm edhe në trafikun ajror, me afro 2,200 fluturime të anuluara, kryesisht në aeroportet e Nju Jorkut, Nju Xhersit dhe Bostonit.

Një sistem i ri stuhish nga rajoni i Liqeneve të Mëdha po lëviz drejt zonës së Anglisë së Re, por sinoptikanët theksojnë se pritet të ketë intensitet më të ulët krahasuar me stuhinë e fundit.

Për herë të parë në mbi 150 vite histori, gazeta The Boston Globe ndërpreu botimin e saj të përditshëm, pasi kushtet e motit penguan punonjësit të arrinin në ambientet e shtypshkronjës.

Sipas mediave, paralajmërime për stuhi u shpallën për më shumë se 69 milionë persona, mbi 650 mijë familje mbetën pa energji elektrike dhe gjashtë shtete shpallën gjendje të jashtëzakonshme.

/tiranapost

Të Ngjashme