Një person është arrestuar në Mitrovicë të Veriut nën dyshimin për sulm me thikë dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, viktima ka deklaruar se pas një mosmarrëveshjeje është rrahur dhe therur me thikë nga i dyshuari. Si pasojë e lëndimeve, viktima është dërguar për trajtim mjekësor në spital.
Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar një armë e tipit AK-47 me 78 fishekë, një granatë dore, dy shok-bomba, tri thika, një jelek antiplumb, para në dinarë serbë si dhe pajisje që dyshohet se përdoren për përgatitjen e narkotikëve.
Në lidhje me rastin janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit. Ndërkaq, i dyshuari kryesor është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet nga organet kompetente.
