Bota

🔥 Sulme ajrore në bazën ushtarake, Venezuela shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas sulmeve ajrore dhe shpërthimeve që tronditën kryeqytetin Karakas në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Sipas burimeve zyrtare dhe raportimeve nga mediat lokale, një nga objektivat e goditura ishte Kalaja Tiuna, në jug të qytetit, kompleksi më i rëndësishëm ushtarak i vendit, ku ndodhen Ministria e Mbrojtjes dhe Akademia Ushtarake.

Bombardimet shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të Karakasit, ndërsa shpërthimi i parë u regjistrua rreth orës 01:50 sipas kohës lokale. Ngjarja ndodhi në një moment tensionesh të larta mes Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara, me objektiva ushtarake që raportohet se janë vënë në shënjestër.

Në një deklaratë zyrtare, qeveria venezueliane dënoi ashpër sulmet, duke akuzuar drejtpërdrejt Uashingtonin. “Venezuela e refuzon dhe e dënon këtë agresion ushtarak jashtëzakonisht serioz dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të veprojë për ta ndëshkuar,” shkruhet në reagimin zyrtar.

Nga ana tjetër, administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka konfirmuar se është në dijeni të shpërthimeve në Karakas, duke bërë të ditur se sulmet janë urdhëruar nga vetë presidenti. Ky zhvillim vjen pas javësh presioni të shtuar nga Uashingtoni ndaj Nicolás Maduros, të cilin Trump e akuzon për lidhje me trafikun e drogës dhe përhapjen e kriminalitetit drejt Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, autoritetet venezueliane pretendojnë se veprimet e fundit të SHBA-së, përfshirë konfiskimin e cisternave të naftës nën sanksione, synojnë rrëzimin e Maduros nga pushteti dhe marrjen nën kontroll të rezervave të mëdha të naftës së Venezuelës.

/tiranapost