LifeStyle

Sulmet në zemër janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë, OBSH: Ndryshoni stilin e jetesës

Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekshmërisë në botë. Organizata Botërore shëndetësisë bën me dije se ndër faktorët kryesorë të rrezikut janë dieta jo e shëndetshme, pasiviteti fizik, përdorimi i duhanit dhe alkoolit.

E kur flasim për dietat, ekspertët e Shëndetësisë Botërore fajësojnë yndyrnat trans, të cilat prodhohet në mënyrë industriale nga hidrogjenizimi i pjesshëm i çdo vaji të lëngshëm, dhe gjenden kryesisht në ushqimet e skuqura, ëmbëlsirat dhe ushqimet e gatshme, por gjithashtu gjendet natyrshëm në mish dhe produkte qumështi nga kafshët ripërtypëse.

Më shumë se 278.000 vdekje çdo vit në nivel global mund t’i atribuohen marrjes së yndyrës trans të prodhuar në mënyrë industriale.

Yndyrnat trans bllokojnë arteriet, duke rritur rrezikun e sulmeve në zemër dhe vdekjeve.

Tashmë është e faktuar se marrja e lartë e yndyrave trans rrit rrezikun e vdekjes nga çdo shkak me 34%, vdekjet nga sëmundjet koronare të zemrës me 28% dhe sëmundjet koronare të zemrës me 21%. 

Ndërsa objektivi ambicioz i vendosur nga OBSH në 2018-për të eliminuar plotësisht yndyrnat trans nga furnizimi global i ushqimit deri në fund të vitit 2023-nuk u arrit.  Shqipëria është një ndër vendet që ka ende përdorim të gjerë të yndyrnave trans, e kjo lidhet edhe me numrin e lartë të vdekjeve akute nga zemra.