Lajme

Sulmi ndaj Burim Pacollit, Prokuroria: Po zhvillohen hetime intensive për të identifikuar dhe lokalizuar të dyshuarit

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka thënë se organet e rendit janë duke zhvilluar “hetime intensive” lidhur me sulmin ndaj gazetarit Burim Pacolli.

Pacolli u sulmua sot në Prishtinë derisa po kryente shërbimet personale bankare.

Në njoftim thuhet se prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale dhe ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të identifikimit dhe të lokalizimit të personave të dyshuar, si dhe për sigurimin e provave relevante.

“Për shkak të fazës së hershme të hetimit dhe me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit, në këtë fazë nuk mund të ofrohen detaje shtesë. Prokuroria mbetet e përkushtuar për trajtimin me prioritet të këtij rasti dhe për garantimin e një hetimi të shpejtë, të paanshëm dhe profesional, në përputhje me ligjin. Për çdo zhvillim të mëtejmë, opinioni publik do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftim.

Sipas Nacionales, ai është sulmuar nga reperi “Mossi”, Gramos Krasniqi, dhe disa persona të tjerë.

Për rastin ka reaguar edhe AGK-ja e cila ka dënuar sulmin dhe ka kërkuar nga Policia e Kosovës të zbardhë ngjarjen dhe të kapen autorët.

Të Ngjashme