Lajme

Sulmi nga Irani, ministri i Jashtëm i Izraelit falënderon Kosovën për mbështetje

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz ka falënderuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe të gjithë liderët botërorë që kanë shprehur mbështetje për shtetin e Izraelit pas sulmit nga Irani.

Katz në një përgjigje në postimin e Kurtit në platformën X shkruan se e gjithë bota e lirë duhet të qëndrojë me Izraelin për të ndaluar boshtin iranian të së keqes, para se të jetë tepër vonë.

“Faleminderit kryeministër Albin Kurti. Mbështetja dhe solidariteti nga liderët dhe kombet anembanë botës nuk do të harrohet kurrë. Ne e dimë se kush janë miqtë tanë.

Regjimi i Ajatollahut ka kaluar vijën e kuqe – dhe shteti i Izraelit nuk do të qëndrojë i heshtur përballë sulmit brutal të Iranit ndaj qytetarëve tanë.

E gjithë bota e lirë duhet të qëndrojë me Izraelin për të ndaluar boshtin iranian të së keqes – para se të jetë tepër vonë”, shkruan ai.

Ndryshe, mbrëmë kryeministri i vendit, Albin Kurti pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit ka shkruar në X.

Ai është shprehur i shqetësuar për sulmin e sotëm raketor të Iranit ndaj Izraelit, ndërsa tha se mbështet të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur.

Jemi thellësisht të shqetësuar për sulmin e sotëm me raketa nga Irani ndaj Izraelit, në të cilin u lëshuan rreth 200 raketa, dhe bashkohemi me qeveritë e tjera në dënimin e këtij agresioni. Një vit pas sulmeve terroriste të Hamasit të 7 tetorit, rritja e vazhdueshme e dhunës është alarmante. Ne mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe të gjitha përpjekjet për të arritur një armëpushim të menjëhershëm”, kishte shkruar Kurti.