Kuriozitete

Supermakinat dhe rregullat e padukshme/ Të jesh i pasur nuk mjafton për të qenë pronar i një Ferrari apo Bugatti

Në një botë ku luksin e lidhim zakonisht me lirinë absolute, supermakinat tregojnë të kundërtën: në fakt, të jesh pronar i njw Ferrari, Bugatti apo Rolls-Royce nuk është thjesht çështje banke, por edhe ‘mirësjelljeje’.

Këto marka vendosin rregulla të pazakonta, shpesh të padukshme për publikun, që i bëjnë pronarët e tyre të ndihen pjesë e një klubi të përzgjedhur.

Ferrari, marka zgjedh pronarin

Ferrari është shembulli më i qartë. Një LaFerrari apo Monza SP2 nuk mund ta blejë kushdo, edhe nëse ka paratë gati. Kompania zgjedh vetë se kush është ‘i denjë’, duke refuzuar shpesh VIP-a që nuk respektojnë imazhin e saj.

Personalizimet e tepruara, mbështjelljet me ngjyra ekstreme apo ndryshimet në logon e famshme ‘Cavallino Rampante’ janë tabu. Dhe nëse mendon ta shesësh shpejt një model special? Harroje. Ferrari vendos shpesh kufizime disa-vjeçare.

Bugatti, prestigj i blinduar

Nëse Ferrari është rreptë, Bugatti është aristokratik. Marka franceze shet pak makina, dhe me kujdes të jashtëzakonshëm. Për Bugatti, edhe një incident i vogël publik është arsye blacklist-i. Kujtoni rastin e Tom Cruise në vitin 2006, kur nuk arriti të hapte derën e Veyron-it para kamerave.

Ajo skenë e sikletshme thuhet se i kushtoi një vendim të përhershëm: asnjë Bugatti tjetër për yllin e Hollywood-it. Për më tepër, pronarët duhet të bëjnë mirëmbajtjen vetëm në serviset zyrtare, ndërsa shitjet e menjëhershme janë të ndaluara.

Image

Lamborghini, rebel me kufij

Lamborghini shihet si marka ‘fun’ e supermakinave, por edhe ajo nuk i shpëton rregullave të brendshme. Modele unike si Centenario apo Sian rezervohen për klientë të zgjedhur. Ndërkohë, pronarët që shfaqin ‘abuzime’ nëpër video virale, si drifting apo burnouts në rrugë publike,  mund të humbasin kredibilitetin pranë kompanisë.

Rolls Royce, luks në heshtje

Nëse Ferrari e Bugatti lidhen me shpejtësinë dhe prestigjin, Rolls-Royce përfaqëson elegancën e heshtur. Marka britanike e konsideron ‘show-off’-in agresiv si fyerje.

Përdorimi i makinës për reklama provokuese apo marketing të tepruar? Jo faleminderit. Diskrecioni është pjesë e kontratës së padukshme mes pronarit dhe Rolls-it.

McLaren & Porsche, privilegji i ftesës

McLaren dhe Porsche ndajnë të njëjtën filozofi: disa makina nuk janë për shitje, por për ftesë. Nëse dikush blen një model të limituar dhe e shet shpejt, kompania thjesht nuk e fton më në listën e klientëve për projekte të ardhshme.

Këto makina nuk janë thjesht mjete transporti, por pasaporta për në një elitë globale.

Paraja hap derën, por është sjellja ajo që vendos nëse do të mbetesh brenda klubit, apo do të përfundosh në listën e zezë.

 

Të Ngjashme