Lajme

Supremja hedh poshtë ankesën e Blerim Isufajt, sqaron pse nuk mund ta shqyrtojë vendimin e KPK-së

Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Blerim Isufajt kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për largimin e tij nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. Gjykata ka vlerësuar se vendimi i KPK-së është akt administrativ dhe jo vendim disiplinor, prandaj ligjshmëria e tij duhet të shqyrtohet në procedurën e konfliktit administrativ.

Në aktvendimin A.A.nr.40/2026, të datës 27 tetor 2026, të cilin e ka siguruar KosovaPress, thuhet se ankesa e Isufajt është e palejuar, pasi Gjykata Supreme nuk ka kompetencë të drejtpërdrejtë për shqyrtimin e këtij lloji të vendimit.

Vendimi është marrë nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët Delushe Halimi, kryetare, Faton Ademi dhe Nenad Lazic, anëtarë.

“Hedhet si e palejuar ankesa e B.I., Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e paraqitur kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në Prishtinë, KPK/Nr.695/2026, të datës 2 tetor 2026”, thuhet në dispozitivin e aktvendimit.

KPK-ja kishte vendosur më 2 tetor largimin e Isufajt nga pozita udhëheqëse, duke konstatuar keqmenaxhim të Prokurorisë Speciale, jokompetencë në ushtrimin e detyrës, dështim në kryerjen e përgjegjësive dhe mospërmbushje të standardeve të performancës.

Sipas vendimit të KPK-së, këto rrethana, secila veçmas, përbëjnë bazë ligjore për largimin nga pozita e kryeprokurorit.

Megjithatë, vendimi nuk ia ka ndërprerë Isufajt funksionin si prokuror i shtetit. Ai ka vazhduar ushtrimin e detyrës së prokurorit në Prokurorinë Speciale.

Në aktvendimin që ka siguruar KosovaPress, Gjykata Supreme ka përshkruar edhe pretendimet e Isufajt kundër vendimit të KPK-së.

Përmes avokatit Artan Qerkini, Isufaj kishte pretenduar se gjatë vendimmarrjes ishin bërë shkelje esenciale të dispozitave procedurale, ishte zbatuar gabimisht ligji dhe nuk ishte vërtetuar në mënyrë të plotë gjendja faktike.

Në ankesë ishte pretenduar se vendimi ishte përgatitur para vendimmarrjes, se Isufajt i ishte mohuar e drejta për t’u dëgjuar dhe se nuk mund të verifikoheshin kuorumi, përbërja dhe votimi i Këshillit.

Po ashtu, ai kishte ngritur pretendime për paanshmërinë e organit vendimmarrës, konfliktin e interesit dhe mbështetjen e vendimit në një vlerësim të performancës që, sipas tij, nuk kishte marrë formë përfundimtare.

Isufaj kishte kundërshtuar edhe interpretimin e dispozitave ligjore mbi kriteret për ushtrimin e funksionit të kryeprokurorit.

Sipas pretendimeve të paraqitura në ankesë, vlerësimi me notën “mjaftueshëm” nuk përbënte vlerësim negativ që do të arsyetonte largimin nga pozita.

Ai kishte kontestuar gjithashtu përfundimet për keqmenaxhim, duke pretenduar se ato nuk mbështeteshin në fakte konkrete.

Në ankesë ishte përmendur edhe raporti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), për të cilin Isufaj kishte pretenduar se dëshmonte probleme sistemike dhe jo përgjegjësi personale.

Përmes ankesës, Isufaj kishte kërkuar që Gjykata Supreme ta ndryshonte vendimin e KPK-së dhe t’ia mundësonte vazhdimin e mandatit si kryeprokuror deri në përfundimin e rregullt të tij.

Në mënyrë alternative, ai kishte kërkuar anulimin e vendimit dhe kthimin e çështjes në KPK për rishqyrtim dhe rivendosje.

Gjithashtu, kishte kërkuar që ankesa të kishte efekt pezullues, në mënyrë që vendimi për largimin e tij dhe ai për caktimin e ushtruesit të detyrës të mos prodhonin efekte juridike deri në vendimmarrjen përfundimtare.

Nga ana tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte kundërshtuar kompetencën e Gjykatës Supreme për shqyrtimin e ankesës.

KPK-ja kishte argumentuar se vendimi për largimin e Isufajt nuk ishte vendim disiplinor, as për nga forma dhe as për nga përmbajtja.

Sipas Këshillit, vendimi ishte marrë në bazë të nenit 22, paragrafi 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili përcakton kompetencat për largimin e kryeprokurorëve nga pozitat udhëheqëse.

KPK-ja kishte kërkuar që ankesa të hidhej poshtë si e palejuar ose të refuzohej si e pabazuar.

Supremja: Largimi nga pozita udhëheqëse nuk është domosdoshmërisht masë disiplinore

Në arsyetimin e aktvendimit, Gjykata Supreme ka bërë dallimin ndërmjet përgjegjësisë disiplinore të prokurorëve dhe kompetencave të KPK-së për menaxhimin e sistemit prokurorial.

Sipas Gjykatës, Ligji për Këshillin Prokurorial autorizon KPK-në të largojë një kryeprokuror nga pozita udhëheqëse në bazë të vlerësimit të performancës, keqmenaxhimit, jokompetencës ose dështimit në kryerjen e detyrave.

Gjykata ka vlerësuar se ushtrimi i kësaj kompetence duhet të dallohet nga procedurat disiplinore, të cilat rregullohen me ligj të veçantë.

Në aktvendim theksohet se largimi nga pozita e kryeprokurorit, në bazë të vlerësimit të performancës, nuk është paraparë si sanksion i veçantë disiplinor.

Gjykata ka sqaruar se fakti që një vendim sjell ndërprerjen e ushtrimit të një pozite udhëheqëse nuk e bën automatikisht atë vendim të natyrës disiplinore.

Për ta pasur këtë natyrë, sipas Supremes, vendimi duhet të lidhet me konstatimin e përgjegjësisë disiplinore dhe shqiptimin e pasojave juridike që rrjedhin nga ajo përgjegjësi.

Në rastin konkret, Gjykata ka konstatuar se vendimi i KPK-së nuk ishte nxjerrë në procedurë disiplinore.

Rrjedhimisht, ajo ka vlerësuar se nuk mund të zbatohej neni 15 i Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i cili mundëson ankimin e drejtpërdrejtë në Gjykatën Supreme kundër vendimeve disiplinore.

Kontestimi i vendimit mund të bëhet në procedurë administrative

Gjykata Supreme ka konstatuar se vendimi i KPK-së për largimin e Isufajt nga pozita udhëheqëse përbën akt individual me karakter administrativ.

Për këtë arsye, sipas saj, ligjshmëria e vendimit mund t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor në procedurën e konfliktit administrativ, përpara gjykatës kompetente.

Gjykata ka theksuar se kompetenca e saj për shqyrtimin e drejtpërdrejtë të ankesave kundër vendimeve disiplinore nuk mund të zgjerohet edhe për vendime të tjera të KPK-së.

Po ashtu, Supremja ka vlerësuar se referimi i Isufajt në një aktgjykim të mëparshëm të saj, të datës 16 dhjetor 2025, nuk ishte i qëndrueshëm, pasi rastet nuk kishin të njëjtën natyrë juridike.

Përfundimisht, kolegji ka konstatuar se nuk ekziston bazë e mjaftueshme ligjore për shqyrtimin e drejtpërdrejtë të ankesës.

Me këtë aktvendim, Gjykata Supreme nuk ka vendosur nëse pretendimet e KPK-së për keqmenaxhim dhe performancë të dobët ishin të bazuara.

Vendimmarrja është kufizuar në çështjen e kompetencës dhe lejueshmërisë së ankesës, duke lënë të hapur rrugën e kontrollit gjyqësor përmes konfliktit administrativ.

Të Ngjashme