Gjykata Supreme e Kosovës ka ndërprerë masën e paraburgimit për nëntë të pandehur në rastin e falsifikimit të rezultateve të votimit, duke i liruar ata që të mbrohen në liri.
Sipas njoftimit zyrtar, me aktgjykimin Pml.nr.105/2026 janë aprovuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve B.B., A.H., A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G. dhe I.P. Vendimi ka ndryshuar aktvendimet e shkallëve më të ulëta, të cilat kishin caktuar masën e paraburgimit ndaj tyre për veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.
Po ashtu, me aktgjykimin Pml.nr.95/2026 është aprovuar edhe kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë për të pandehurin H.P., duke i ndërprerë paraburgimin dhe duke e liruar për t’u mbrojtur në liri.
Vendimi i Supremes erdhi pas shqyrtimit të kërkesave kundër vendimeve të Gjykatës Themelore në Prizren dhe Gjykatës së Apelit, të cilat më parë kishin vërtetuar paraburgimin.
Gjykata Supreme theksoi se janë përmbushur kushtet ligjore për ndërprerjen e masës, duke garantuar respektimin e parimit të ligjshmërisë dhe të drejtave procedurale të të pandehurve.
