Gjykata Supreme ka njoftuar se ka shqyrtuar të gjitha ankesat e paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me rezultatin zgjedhor pas rinumërimit të votave.
Sipas njoftimit, brenda ditës pritet të përfundojë përpilimi i vendimeve dhe dorëzimi i tyre tek palët.
Këtë e ka bërë të ditur për RTKlive udhëheqësja e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.
Supremja ka shqyrtuar gjithsej gjashtë ankesa kundër vendimeve të PZAP-së. Dy prej tyre janë paraqitur nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, një nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, një nga koalicioni PAI-PDAK-LPB, një nga Emilia Rexhepi dhe një nga Partia e Re Demokratike (Nova Demokratski Stranka) nga Prizreni.
Në rast se edhe Gjykata Supreme i refuzon këto ankesa, atëherë i hapet rruga certifikimit të rezultateve zgjedhore. Pas certifikimit, brenda 30 ditësh duhet të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit.
Ndërkaq, nga shtatë ankesat e paraqitura në PZAP, ky institucion ka pranuar vetëm ankesën e Listës Serbe, e cila ishte ankuar ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mosshpalljen e rezultateve përfundimtare për këtë subjekt politik.