Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka njoftuar për mbylljen për qarkullim të pikëkalimit kufitar me Serbinë, në Bërnjak. Ai ka thënë se vendimi është marrë pasi njerëz të maskuar në Serbi kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.
Në një rast, sipas Sveçlës, një familjes që po udhëtonte nga Kosova në Gjermani i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Këto akte ai i ka quajtur fashiste, raporton teve1.info
Tutje, Sveçla Ka thënë se ato po ndodhin para syve të Policisë së Serbisë, të cilën e ka quajtur bashkëfajtore.
“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët. Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne. Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të papengueshëm dhe të sigurt për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”, ka shkruar Sveçla në Facebook.