Lajme

Sveçla takohet me dy ministra turq, dënon ashpër sulmin në Ankara

Sulmin terrorist në Turqi, e ka dënuar ashpër edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili ndodhet në Turqi në kuadër të panairit Saha Expo 2024, me ç’rast është pritur në takime nga homologu i tij turk, Ali Yerlikaya dhe ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yashar Guler.

“Akte të tilla janë një tragjedi jo vetëm për viktimat dhe familjet e tyre, por për të gjithë ne që vazhdojmë të punojmë për paqe dhe siguri”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sot, një grup sulmuesish shpërthyen një bombë dhe shtinë me armë zjarri të mërkurën në ndërtesën e kompanisë së mbrojtjes dhe hapësirës ajrore të Turqisë, TUSAS, duke i vrarë katër njerëz dhe duke i plagosur disa të tjerë, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

“Kemi katër martirë. Kemi 14 të plagosur. E dënoj këtë sulm terrorist dhe u uroj mëshirë martirëve tanë”, tha Erdogan një takimi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në margjinat e samitit të BRICS në Kazan të Rusisë.

Të paktën dy nga sulmuesit u vranë, tha ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya.