Lajme

Sveçla takohet me homologun e tij bullgar, bisedojnë për sigurinë dhe sfidat globale

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të enjten në Sofie është takuar me homologun e tij bullgar, Atanas Ilkov.

Sveçla ka thënë se me Ilkov kanë biseduar për situatën e përgjithshme të sigurisë si dhe janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat që mbulojnë.

“Isha i nderuar të takoj Ministrin e Brendshëm të Bullgarisë Atanas Ilkov sot në Sofie, ku biseduam për situatën e përgjithshme të sigurisë dhe sfidat globale që na bashkojnë për t’i zgjidhur. U pajtuam për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në fushat që mbulojmë, në mënyrë që të arrihen me sukses qëllimet e përbashkëta për një rajon të qetë e të sigurt. Falënderova Ministrin Ilkov për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Bullgarisë për shtetformin në të kaluarën dhe proceset integruese të vendit tonë tani”, ka shkruar ai në Facebook.

Po ashtu, Sveçla ka bërë të ditur se në takimin e Forumit të Salzburgut, në sesionin për migracion, ndër të tjera ka theksuar rezultatet e Kosovës në këtë fushë, si dhe përkushtimin për të luftuar çdo ilegalitet që minon paqen dhe stabilitetin kudo.

“Gjithashtu, në takimin e Forumit të Salzburgut, në fjalën time në sesionin për migracion, ndër të tjera theksova rezultatet e Republikës në këtë fushë dhe përkushtimin tonë për të luftuar çdo ilegalitet që minon paqen dhe stabilitetin kudo”, ka shtuar ai./teve1.info/