Lajme

Syla: Mbledhja e dy Qeverive nuk po ndodh për shkak të kryeneçësisë së Kurtit dhe Ramës  

Ish-konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Kanada, Donat Syla ka thënë se takimet në mes dy Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë duke ndodhur për shkak të kryeneçësisë së dy kryeministrave, Albin Kurti dhe Edi Rama.

Ai në “Info Nata” tha se ideja për protagonizëm është shfaqur që në fillim nga Kurti dhe Rama derisa shtoi se kryeministri shqiptar ka pasur raporte të tendosura edhe me kryeministra tjerë të Kosovës.

“Takimet e dy qeverive për kryeneçësinë e dy kryeministrave tanë nuk janë duke ndodhur, rezultate nga takimet e tyre nuk kemi. Unë nuk mund ta fajësoj vetëm z.Kurtin në këtë drejtim. Ideja për protagonizëm në mes të Kurtit dhe Ramës është shpërfaqur që në fillim mirëpo, mos harroni se goditjen e parë të themi e ka bërë Kurti në përpjekjet për të organizuar zgjedhje në Shqipëri. Nuk ka qenë praktike me herët dhe mori një rezultat qesharak sa që e mbylli atë etapë. Mandej përpjekja e Ramës për ta eklipsuar Kosovën që ka qenë gabim në anën e tij dhe mos harroni që Rama ka pasur raporte të tendosura edhe me kryeministra tjerë të Kosovës sepse ka një përpjekje prej protagonisti ”, ka thënë ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Kurti ditë më parë ka thënë se është shumë i gatshëm dhe i interesuar të mbajë sa më parë edhe një mbledhje tjetër me Qeverinë e Shqipërisë.

Kurti tha se më Shqipërinë deri me tani kanë nënshkruar 58 marrëveshje dhe sipas tij pavarësisht se nuk ka një mbledhje të tretë janë zbatuar jashtëzakonisht mirë, raporton teve1.info

“Me republikën e Shqipërisë tashme i kemi mbajt dy mbledhje tash u barazuam sepse mbajtëm edhe me Maqedoninë Veriore dy mbledhje. Edhe unë jam shume i gatshëm, i vullnetshëm, i interesuar  që sa më parë ta mbajmë edhe një mbledhje me Qeverinë e Republikes së Shqipërisë. Përndryshe 58 marrëveshje me Shqipërinë i kemi bërë në ato dy mbledhje dhe zbatimi i tyre pavarësisht që nuk kemi një mbledhje të tretë në këtë mandat ka shkuar jashtëzakonisht mirë dhe më mirë se në të gjitha mandatet e mëhershme”, ka thënë Kurti në konferencën që u mbajte pas takimit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut./teve1.info