Shëndetësi

Syze inteligjente për të verbërit: Shkencëtarët kinezë zhvillojnë teknologjinë që udhëzon në kohë reale pa nevojën e një qeni apo shkopi

Shkencëtarët në Universitetin Jiao Tong të Shangait kanë krijuar një palë syze të reja inteligjente që ndihmojnë të verbërit të lëvizin në mënyrë të pavarur, pa ndihmën e qenve udhëzues, shkopinjve apo personave të tjerë. Pajisja përfshin një kompjuter të vogël, sa një kartë krediti, të vendosur në një prototip të syzeve të Google, të cilat janë ndërprerë në vitin 2023.

Programi i inteligjencës artificiale i integruar në pajisje analizon mjedisin përreth dhe jep sinjale kur përdoruesi afrohet me një objekt apo pengesë. “Kamera kap pamjen përpara dhe informacioni dërgohet në kompjuterin e vogël,” shpjegon studiuesi Leilei Gu. Ndërsa përdoruesi lëviz, informacioni përditësohet në kohë reale për të ndihmuar orientimin e sigurt drejt objektivit.

Përveç kësaj, studiuesit kanë krijuar edhe një “lëkurë sintetike”, një material i shtrirshëm me sensorë që sinjalizon praninë e objekteve. Kjo sinjalizim bëhet përmes përçimit të zërit nëpërmjet kockave të kafkës, duke lejuar dëgjimin edhe nëse kanali i veshit është i bllokuar.

Teknologjia është testuar nga 18 persona në Kinë dhe synon të jetë sa më pak e dukshme për përdoruesin. “Shumë njerëz me probleme të shikimit duan të jenë sa më të pavarur,” u shpreh eksperti britanik i aksesueshmërisë Chris Lewis, duke e quajtur këtë një “hap gjigant përpara”.

Në Evropë, mbi 30 milionë njerëz janë të verbër ose me shikim të dobët, ndërkohë që kostoja për trajnimin e një qeni udhëzues mund të arrijë deri në 60 mijë euro. Zhvilluesit e kësaj teknologjie thonë se pajisjet aktuale shpesh janë pengesë dhe synimi i tyre është që përdoruesit të mos duken të ndryshëm nga ata që shikojnë plotësisht.

Në të ardhmen, studiuesit shpresojnë të zhvillojnë një kamera më të vogël, që mund të vendoset edhe në lente kontakti.

Të Ngjashme