Nënkryetari i Aleancës Besnik Tahiri ka deklaruar se aktgjykimi dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit e shpërfill kontekstin në të cilin u zhvillua lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai e cilësoi vendimin e Dhomave të Specializuara si politik dhe të padrejtë, duke thënë se UÇK-ja luftoi për mbrojtjen e popullit shqiptar nga dhuna dhe dëbimi.
“UÇK-ja nuk luftoi vetëm për liri dhe pavarësi, por edhe kundër dhunës, dëbimit dhe përpjekjeve për ta zhdukur popullin shqiptar nga Kosova. UÇK-ja luftoi kundër gjenocidit, në një kohë kur tragjedia e Bosnjës ishte ende e freskët. Injorimi i këtij konteksti dëshmon se vendimi është politik dhe i padrejtë, jo akt drejtësie”, shkroi Tahiri në Facebook.
Sipas tij, lufta e UÇK-së përfaqëson një kapitull të lavdishëm të historisë së Kosovës dhe një përpjekje të drejtë për mbrojtjen e popullit, dinjitetit dhe lirisë.
“Asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta zhbëjë këtë të vërtetë historike dhe sakrificën e mijëra njerëzve”, theksoi ai.
Tahiri shprehu mbështetje për nismat që synojnë lirimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare.
“Do të jem gjithmonë në mbështetje të çdo iniciative që synon lirimin e liderëve të UÇK-së, mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe vendosjen e drejtësisë së plotë. Kjo padrejtësi duhet të korrigjohet. Jo në emrin tim!”, përfundoi ai.
