Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, e ka quajtur qëndrim jo serioz të një burrështetasi shtetëror deklaratën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca për draft statutin e Asociacionit.
Sipas Tahirit, kjo deklaratë e Konjufcës do të kishte vlerë po ta kishte thënë një vit më parë kur e kanë marrë draft statutin.
“Ju e dëgjuat Konjufcën që tha Kosovës nuk mund ti imponohet një draft statut i tillë nga BE sepse është e padrejtë dhe po i merr kompetenca Kosovës e kështu me rradhë. Ajo që do të duhej të ndodhte është që, këtë gjë Konjufca do të duhej ta thoshte fiks para një viti, se para një viti qëndrimi i tij do të kishte vlerë, nëse kur është publikuar kur e kanë marrë draft statutin, Konjufca do të thoshte kjo është e papranueshme dhe nuk pranoj ta komentoj fare draftin a është në përputhje ose jo me kushtetutën, sepse nuk mund t’i imponohet një dokument i tillë Kosovës. Por në atë kohë e ka quajtur si dokument të rëndësishëm dhe në përputhje me kushtetutën e Kosovës. Pra, këta janë joserioz, këto nuk janë qëndrime të një burrështetasi shtetëror, kjo është situatë e mjerueshme”, ka thënë Tahiri.
Ai po ashtu ka shprehur bindjen se Kosova pas 9 shkurtit do të ketë një qeveri të re e cila siç ka thënë ‘do ta nxjerrë vendin nga sanksionet dhe do t’i hapë perspektivë’.
“Jemi të bindur se vendi do të ketë qeveri të re që do ta nxjerrë vendin nga sanksionet, do t’i kthejë fondet e anëtarësimit dhe do t’i hapë vendit perspektivë. Këto janë qëndrime nuk duhet ti marrim seriozisht, në prag të zgjedhjeve, që edhe pse janë elektorale, nuk i sjellin benefite VV-së dhe Qeverisë së Kosovës”, ka shtuar ai.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, sa i përket draftit për Asociacionin, ka thënë se Bashkimi Evropian po e trajton Kosovën si jo shtet dhe se qasja e BE-së është diskriminuese./teve1.info/