ShowBizzz

Taika Waititi zbulon detaje nga albumi i radhës i Rita Orës

Ylli me famë botërore e me origjinë Kosovare, Rita Ora, pritet të rikthehet së shpejti me albumin e saj të katërt, ndërsa bashkëshorti i saj, regjisori Taika Waititi, ka zbuluar disa detaje rreth projektit të ri muzikor.

Duke folur për “Bizarre” gjatë një eventi në Londër, Waititi tha se ka dëgjuar pjesën më të madhe të albumit dhe e cilësoi atë si një ndryshim të madh nga muzika me të cilën Rita është identifikuar deri tani.

“Ky album i ri është i jashtëzakonshëm. Kam dëgjuar një pjesë të madhe të tij. Është një ndryshim i madh nga ajo me të cilën ajo njihet më së shumti.Ka një tingull ndryshe”, u shpreh ai.

Këngëtarja 35-vjeçare ka publikuar së fundmi disa fotografi nga xhirimet e videoklipit të këngës “All Natural”, e cila pritet të jetë pjesë e albumit të ri.

Videoklipi është realizuar nën regjinë e Waititit dhe duket se është frymëzuar nga estetika e viteve ’80.

Duke folur për bashkëpunimin me bashkëshorten e tij, regjisori fitues i çmimit Oskar tregoi se puna së bashku është më shumë një kënaqësi sesa një angazhim profesional.

“Ka një marrëveshje mes miqsh. Mendoj se çdo herë ka qenë falas. Është thjesht kënaqësi të punojmë bashkë”, tha Waititi.

Ai shtoi se, megjithëse të dy janë pjesë e industrive të ngjashme, angazhimet e tyre janë në fusha të ndryshme, çka u mundëson të bashkëpunojnë edhe në projekte krijuese.

Albumi i katërt i Ritës është përfolur të publikohet dikur gjatë vitit të ardhshëm.

Ky album vjen pas “You & I”, të publikuar në vitin 2023.

Rita ka treguar më herët se puna për albumin e ri ka nisur me një qasje më të fokusuar te identiteti i saj artistik dhe se dëshiron që projekti të ketë një karakter më personal dhe të dallueshëm.

Në muajt e fundit, ajo ka qenë e angazhuar edhe me projekte të tjera, përfshirë muzikën, televizionin dhe kinemanë.

Publikimi i “All Natural” shënon rikthimin e saj gradual në qendër të aktiviteteve muzikore, ndërsa albumi i ri pritet të zgjerojë këtë fazë të karrierës.

Albumi i ri i Rita Orës pritet të jetë një prej projekteve kryesore të saj muzikore në periudhën e ardhshme, ndërsa detajet e plota për titullin dhe listën e këngëve ende nuk janë bërë publike.

Të Ngjashme