Lajme

Takimet në Uashington ndezin sinjalin strategjik për Kosovën – mesazhe të fuqishme nga maja e politikës amerikane

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një vizitë me peshë të veçantë politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është takuar mes të tjerash edhe me presidentin amerikan Donald Trump dhe me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.

Takimet në Uashington konsiderohen si sinjal i vazhdimësisë së marrëdhënieve të ngushta mes Kosovës dhe SHBA-së, në një periudhë sfiduese për zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon.

Në fokus të diskutimeve kanë qenë forcimi i partneritetit strategjik, thellimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbështetja amerikane për konsolidimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Për këtë temë, për “Bota sot” foli Agim Vuniqi, i cili u shpreh se takimi Osmani-Rubio është një sinjal me peshë të madhe strategjike për Kosovën.

“Takimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në ambientet e United States Department of State, i ndodhur menjëherë pas takimit me Presidentin Donald Trump, nuk është një episod protokollar. Është një sinjal politik me peshë strategjike – për Kosovën, për rajonin dhe për vetë arkitekturën e marrëdhënieve transatlantike.

Rëndësia e momentit ishte jo vetém simbolika, por edhe substanca, ngase në diplomaci, renditja e takimeve ka domethënie. Fakti që takimi me kryediplomatin amerikan vjen pas një takimi me Presidentin e SHBA-së, i cili publikisht artikulon përkrahje me frazën tashmë ikonike “nëse keni problem, më thirrni”, e zhvendos Kosovën nga margjina e agjendës rajonale në qendër të vëmendjes politike amerikane”.

Për këtë, Vuniqi vlerësoi se mesazhi i Trump për Osmanin ka tri domethënie dhe është mesazh për Serbinë, BE-në dhe për opinionin në Kosovë.

“Ky është një mesazh me tri shtresa:

– Mesazh për Beogradin – se linja direkte Ëashington–Prishtinë është aktive.

– Mesazh për Brukselin – se SHBA-ja mbetet aktor primar në çështjet e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.

– Mesazh për opinionin e brendshëm në Kosovë – se partneriteti strategjik me SHBA-në jo vetëm vazhdon, por po forcohet në nivelin më të lartë.

Image
Agim Vuniqi

Në një kontekst ku dialogu Kosovë–Serbi ka kaluar në stagnim të zgjatur dhe ku Marrëveshja e Ohrit kërkon energji të re implementuese, ky takim rikonfirmon se diplomacia amerikane nuk e konsideron Kosovën “dosje të mbyllur””, theksoi ai.

Krahas kësaj, opninionisti foli edhe për dimensionin strategjik të këtij takimi, e që sipas tij është aleanca si arkitekturë sigurie.

Ai potencoi se, deklarata e Osmanit për “hapa konkret”, dërlidhet me sigurinë, integrimin ndërkombëtar, si dhe diplomacinë ekonomike.

Madje, në këtë pikë e vlerësoi lartë komunikimin dhe qasjen e presidentes tonë me Trump-i.

“Kosova, si shtet i vogël me sfida të hapura sovraniteti, nuk e ka luksin e neutralitetit strategjik. Aleanca me SHBA-në është shtylla kryesore e sigurisë kombëtare – qoftë përmes pranisë së NATO-s, qoftë përmes investimeve në sektorin e mbrojtjes dhe diplomacisë.

Diskutimi për “hapa konkretë” – siç theksoi Osmani – duhet lexuar në tri plane: Siguria dhe mbrojtja – rritja e kapaciteteve të FSK-së dhe thellimi i bashkëpunimit ushtarak; Integrimi ndërkombëtar – mbështetje aktive për anëtarësime të reja; Diplomacia ekonomike – kanalizimi i investimeve strategjike amerikane në sektorë kyç.

Nëse ky komunikim institucionalizohet, Kosova mund të kalojë nga pozicioni i një shteti që kërkon mbështetje, në një partner që kontribuon në arkitekturën rajonale të sigurisë.

Ajo që ra në sy ishte paraqitja publike: diplomaci me gjuhë të drejtpërdrejtë. Momenti kur Presidenti Trump artikulon publikisht mbështetjen dhe Osmani i përgjigjet me “I ëill call you” nuk është vetëm gjestikulacion retorik. Është performancë diplomatike e kalkuluar. Në epokën e komunikimit global, simbolika vizuale dhe deklarative shpesh prodhon efekt politik më të madh sesa komunikatat zyrtare. Kjo paraqitje e vendos Kosovën në narrativën e partnerëve strategjikë, jo në kategorinë e vendeve periferike që përmenden vetëm në kontekste krizash”, shpjegoi Vuniqi.

Më tej, ai përmendi edhe efektet e mundshme që mund të sjellin takimet dhe vizita e Osmanit në SHBA, për diplomacinë e Kosovës.

Megjithatë, ai ritheksoi se rëndësia e këtij takimi do të matet jo nga simbolika, por nga rezultatet konkrete, si do veprojë SHBA bashkë me Kosovën në vijim.

“Efektet potenciale janë të shumëfishta: Rritje e kapitalit diplomatik – një fotografi me dy figurat më të fuqishme politike amerikane është kapital simbolik që mund të përdoret në lobim ndërkombëtar; Ripozicionim në dialog – Kosova mund të hyjë në fazën e ardhshme të dialogut me një mbështetje më të artikuluar amerikane; Mesazh dekurajues për aventurizëm rajonal – sinjal i qartë se çdo destabilizim do të përballet me vëmendje të drejtpërdrejtë amerikane.

Megjithatë, rëndësia e këtij takimi do të matet jo nga simbolika, por nga rezultatet konkrete: A do të intensifikohet përfshirja amerikane në proceset integruese të Kosovës? A do të ketë mbështetje më të drejtpërdrejtë në përballjen me sfidat e brendshme institucionale? A do të përkthehet kjo në njohje të reja apo në forcim të subjektivitetit ndërkombëtar?

Nëse përgjigjja është pozitive, atëherë ky takim shënon një kthesë të re strategjike. Nëse mbetet në nivel simbolik, do të jetë vetëm një kapitull protokollar”.

Ndër të tjera, opininonisti shtoi se, SHBA mbetet grancia kryesore e sigurisë së Kosovës, derisa sa i përket diplomacisë tha se është në provë që ta kthejë simbolikën në strategji, dhe strategjinë në rezultat.

“Andaj, takimi Osmani–Rubio, i paraprirë nga ai me Presidentin Trump, është një moment me potencial të madh strategjik për Kosovën. Ai rikonfirmon se SHBA-ja mbetet garancia kryesore e sigurisë dhe mbështetësi më i fuqishëm i shtetësisë së Kosovës. Por diplomacia nuk matet me fraza ikonike – matet me arkitekturë të qëndrueshme politike. Nëse kjo vizitë shndërrohet në platformë konkrete bashkëpunimi, atëherë Kosova jo vetëm që forcon aleancën me dy liderët më të fuqishëm të botës, por konsolidon pozicionin e saj si faktor stabiliteti në Ballkan. Kjo është prova e vërtetë e diplomacisë: ta kthejë simbolikën në strategji, dhe strategjinë në rezultat të prekshëm për shtetin dhe qytetarët”, përmbylli Agim Vuniqi për “Bota sot”.

Të Ngjashme