Kuriozitete

Takimi i kometave në qiell, si të sodisni spektaklin e tetorit

Dy kometa të zbuluara së fundmi do të përshkojnë qiellin duke ofruar spektakël gjatë këtij muaji.

Trupat qiellorë përbëhen nga akulli, gazra të ngrirë dhe shkëmbinj dhe kur kalojnë pranë yjeve si Dielli, nxehtësia bën që të çlirojnë gaze dhe pluhur që krijon bishtin e tyre.

Kometa C/2025 A6 Lemmon u vu re nga shkencëtarët më 3 janar, kurse C/2025 R2 SWAN është pikasur për herë të parë më 10 shtator, raporton CNN.

Për ata që shijojnë peizazhet e qiellit, është një moment fantastik për të parë kometat me dylbi ose teleskop sepse të dyja kanë orbita të gjata, ovale dhe do të jenë pranë Tokës për pak kohë.

SWAN nuk do të rishfaqet edhe për 650-700 vjet, kurse Lemmon do të zhduket për 1300 vjet

“SWAN shihet vetëm herët në mbrëmje, sapo errësohet”, shkroi shkencëtari Quanzhi Ye në një email për CNN. “Lemmon shihet pak para agimit, por së shpejti do të mund të shihet vetëm në mbrëmje.”

SWAN do t’i afrohet më shumë Tokës, 38.6 milionë kilometra më 20 tetor, kurse Lemmon 88.5 milionë kilometra më 21 tetor.

Lemmon do të jetë më e dukshme për ata që jetojnë në hemisferën veriore, kurse SWAN në hemisferën jugore por edhe ajo do të duket në anën e kundërt.

Lemmon do të përndizet pak më shumë në javët në vijim deri në fillim të nëntorit, ndërsa SWAN me gjasë do të zbehet së shpejti.

Për t’i parë, njerëzit mund të përdorin dylbi dhe të qëndrojnë në një zonë të errët, larg ndotjes së dritës. Një mori aplikacionesh tregojnë edhe vendndodhjen e kometave në kohë reale. Madje, mund të shihen edhe me kamerën e celularit duke ndryshuar cilësimet për të zgjatur opsionin “exposure” në disa sekonda dhe ta drejtoni nga qielli.

Të Ngjashme