Lajme

Tara: Gjykata Speciale më e padrejtë se ato serbe, kërkesat për 180 vite burg për ish-krerët e UÇK-së një kërkesë monstruoze

Ismet Tara, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale të Hagës për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga ish-krerët e UÇK-së, duke përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Në emisionin “Info Nata” në Televizionin Tëvë 1, Tara ka thënë se kërkesa për 180 vite burgim (kjo është kërkesa e Prokurorisë për të katër krerët e UÇK-së) është një kërkesë monstruoze dhe të papranueshme.

“Është kërkesë monstruoze që as të ishin prokurorë serbë nuk do të mundnin ta orkestronin më mirë se sa është orkestruar kjo nga prokurori i Gjykatës Speciale në Hagë,” tha Tara, duke theksuar se kjo kërkesë është një padrejtësi ndërkombëtare.

Ai gjithashtu e ka quajtur të papranueshme ndërhyrjen e prokurorit në caktimin e dënimit. Sipas tij, prokurori i ka caktuar vetë gjykatësve dënimet për ish-krerët e UÇK-së, dhe ka shtuar se kjo e bën të pamundur që luftëtarët e lirisë të mbrojnë vetveten dhe të drejtat e tyre.

“Për më tepër, kërkesa për 45 vite burgim është një dënim që është jashtë çdo logjike. Ata janë të moshuar, shumica janë mbi 60 vjeç, dhe të kërkosh 45 vite burgim është një kërkesë për dënim të përjetshëm.” – ka thënë Tara.

Tara, duke komentuar më tej, ka theksuar se ky proces gjyqësor në Hagë është shumë më i keq se çdo gjykatë serbe që ka ekzistuar më parë. Ai ka shprehur bindjen se gjykata speciale e Kosovës është më e padrejtë dhe e keqe se gjykatat serbe, duke theksuar se ndihmoi ata që përbënin një pushtues të Kosovës para dhe pas luftës.

“Kjo gjykatë është më e keqe se çdo gjykatë serbe. Ata që kërkojnë 45 vite burgim për luftëtarët e lirisë, ata janë më keq se prokurorët serbë,” ka thënë Tara.

Në fund, ai ka theksuar se nuk duhej të ishte ngritur kjo gjykatë speciale, duke pohuar se më mirë do të ishte që luftëtarët e lirisë të gjykoheshin nga gjykatat serbe sesa nga një gjykatë speciale e Kosovës në Hagë.

“Më mirë do të ishte që ne të gjykoheshim nga gjykata serbe sesa nga kjo gjykatë speciale në Hagë. Kjo është një padrejtësi e madhe,” ka përfunduar Ismet Tara.

Të Ngjashme