Lajme

Taulant Balla: Vijojnë aksionet për ndalimin e personave për prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike

Taulant Balla

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, bën me dije se policia vijon ende operacionet për ndalimin e personave për prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

Në një reagim në rrjetet sociale, ministri shprehet se efektivët ndodhen çdo ditë pranë shkollave dhe mjediseve publike, për të ndaluar shpërndarësit e drogës.

Po ashtu, Balla ka bërë edhe bilancin e sekuestrimeve të lëndëve narkotike që në fillim të këtij viti, ku mësohet se janë sekuestruar mbi 720kg kanabis, 10kg kokainë, 11kg heroinë, 12 mijë fara kanabis dhe 37 400 fidanë kanabis.

Reagimi i Taulant Ballës

Çdo ditë, pranë çdo shkolle dhe në mjedise publike Policia e Shtetit është vigjilente për të ndjekur këmba-këmbës dhe ndaluar keqbërësit/shpërndarësit e lëndëve narkotike dhe atyre psikotrope.

Operacioni kombëtar “Tempulli” ka vijuar intensivisht duke çuar në ndalimin e personave për prodhim dhe shpërndarje të lëndëve të ndryshme narkotike. Prej fillim vitit janë sekuestruar mbi 720kg kanabis, 10kg kokainë, 11kg heroinë, 12 mijë fara kanabis dhe 37 400 fidanë kanabis.