1
Taulant Xhaka mbetet një prej emrave më të dashur të Kombëtares shqiptare. I tërhequr tashmë nga futbolli i luajtur, ish-mesfushori kuqezi ka bërë një rrëfim të sinqertë në kanalet zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke folur pa filtra për gjithçka, që nga debutimi me fanellën kuqezi e deri te Kombëtarja aktuale.
Xhaka e përshkroi me emocione të mëdha debutimin e tij me Shqipërinë, i cili u shoqërua edhe me fitore.
“Jam fans i Shqipërisë, i skuadrës. Nder dhe besoj që është fanella më e bukur në botë. Si e kujtoj debutimin? Me shumë emocione, ka qenë debutimi im me Kombëtaren me fitore. Ka qenë si ëndërr, nuk e kam kuptuar shumë por pas fitores, e kam kuptuar dhe e gjithë familja ka qenë krenare me mua”, tregoi Taulant Xhaka.
Ai vijoi rrëfimin duke folur edhe për momentet e tij më të bukura dhe më të vështira me Kombëtaren.
“Momente të parrëfyera? Jo nuk ka pasur momente specifike. Të lumtura kam pasur shumë, të trishtuar për ndeshjen kundër Serbisë. Nuk kam bërë sakrifica të mëdha, por gjithmonë e kam dhënë maksimumin. Kisha vdekur për këtë fanellë. Normal që ke përgjegjësi shumë, duhet të jesh lider dhe duhet t’i mbash lojtarët e rinj afër vetes”, shtoi Xhaka.
Ish-mesfushori kuqezi foli edhe për Kombëtaren aktuale të Shqipërisë, e cila përballet me një sfidë të madhe, siç është playoff-i i Botërorit.
“Kombëtarja ka ecur shumë përpara. Janë lojtarë shumë të rinj, me shumë talent. Është shumë më mirë tani se përpara”, tha Xhaka.
Ai u pyet edhe nëse sheh ndonjë futbollist me ngjashmëri me veten.
“Qazim Laçi. Ka edhe numrin tim, 14 siç e kam pasur unë kur kam qenë pjesë e Kombëtares. Absolutisht që ky grup e ka mentalitetin e duhur për playoffin. Çdo lojtar luan në ekipin e tij, kanë kualitet. Besoj që mund t’ia dalin. Përsa iu përket tifozëve, janë shumë të rëndësishëm se na kanë përkrahur gjithmonë. Janë lojtari i 12-të për ne.”
Në fund të intervistës, Taulant Xhaka përcolli edhe një mesazh për lojtarët e Kombëtares.
“Fanela e kombëtares është nder dhe krenari. Lojtarëve do t’ju thosha: Jepni maksimumin. Luani si gjithmonë me zemër dhe fitorja vjen automatikisht”, përfundoi ai.


