Shkencëtarët nga Universiteti i Calgary-t në Kanada kanë zbuluar se të gjitha qeniet e gjalla prodhojnë një dritë shumë të zbehtë, një fenomen fizik i quajtur emetim ultra i dobët i fotoneve (UPE), që zhduket menjëherë pas vdekjes.
Kjo dritë nuk ka të bëjë me shpirtin apo forca mistike, por është rezultat i proceseve kimike në qeliza. Gjatë prodhimit të energjisë në mitokondri, molekulat lëshojnë fotone, grimcat që përbëjnë dritën. Edhe pse drita është shumë e dobët për t’u parë me sy të lirë, studiuesit kanë përdorur kamera të ndjeshme për të kapur këto “biofotone”.
Dr. Daniel Oblak, autor i studimit, tha: “Kjo provon qartë se bëhet fjalë për një fenomen të përbashkët për të gjitha qeniet e gjalla.”
Për të testuar këtë, studiuesit vendosën minj në kuti të errëta dhe i fotografuan me kamera digjitale: një herë kur ishin gjallë dhe një herë pasi ngordhën.
Fotografia e parë tregoi shpërthime drite nga e gjithë trupi i miut, veçanërisht rreth organeve dhe kokës. Në foton e dytë, drita ishte thuajse e zhdukur. “Kjo tregon qartë se UPE është e lidhur me jetën,” shkruajnë studiuesit në The Journal of Physical Chemistry Letters.
Përveç kafshëve, studiuesit analizuan edhe gjethe të prera nga pemët. Ato vazhdonin të lëshonin dritë për një kohë pas prerjes, veçanërisht kur ishin të dëmtuara ose të ekspozuara ndaj kimikateve si benzokaina. Kjo tregon se UPE është e lidhur me proceset biologjike të riparimit dhe stresit.
Megjithatë, UPE nuk lidhet drejtpërdrejt me shenjat e zakonshme të jetës si rrahjet e zemrës apo aktiviteti i trurit. Sipas dr. Michal Cifra nga Akademia Çeke e Shkencave, ajo lidhet me gjallërinë e vetë indeve dhe zhduket kur ndalon furnizimi me oksigjen. Nëse qarkullimi i gjakut ruhet artificialisht, qelizat mund të vazhdojnë të lëshojnë dritë.
Ky zbulim mund të ketë përdorime mjekësore. Drita mund të ndihmojë në identifikimin e indeve të dëmtuara dhe të monitorojë sëmundje si Alzheimeri në mënyrë jo-invazive. Në të ardhmen, mund të përdoret edhe për të vëzhguar shëndetin e pyjeve apo ekosistemeve të tjera përmes “dritës së jetës” gjatë natës. / New Scientist – Syri.net
