Studiues në SHBA kanë zbuluar se të kesh një telefon në moshën 12-vjeçare lidhet me rrezik më të lartë për depresion, obezitet dhe mungesë gjumi, krahasuar me fëmijët që nuk kanë telefon.
iPhone u lançua më pak se 20 vite më parë, kështu që për shumë fëmijë që po hyjnë në adoleshencë sot, bota ka qenë gjithmonë e mbushur me telefona. Studime si ky përpiqen të zbërthejnë efektet e tyre.
“Gjetjet tona sugjerojnë se duhet t’i shohim smartphone-t si një faktor të rëndësishëm në shëndetin e adoleshentëve, duke e trajtuar vendimin për t’i dhënë një fëmije telefon me kujdes dhe duke marrë parasysh ndikimet e mundshme në jetën dhe shëndetin e tyre”, thotë psikiatri i fëmijëve dhe adoleshentëve Ran Barzilay, nga Spitali i Fëmijëve në Filadelfia.
Të dhënat nga 10,588 të rinj, të mbledhura si pjesë e një studimi të vazhdueshëm mbi zhvillimin e trurit të adoleshentëve, ofruan një pamje të shëndetit të pjesëmarrësve në moshën 12-vjeçare, së bashku me disa prova për ndryshimet që mund të sjellë marrja (ose jo) e një telefoni gjatë vitit pasues.
Studiuesit morën parasysh edhe faktorë të tjerë, si demografia dhe statusi socio-ekonomik, dhe zbuluan se në moshën 12-vjeçare, gati 6.5 për qind e atyre me telefona kishin marrë një diagnozë depresioni, krahasuar me rreth 4.5 për qind të atyre pa telefon. Një diferencë e vogël në dukje, por statistikisht domethënëse.
Për obezitetin, shifrat ishin rreth 18 për qind për përdoruesit e smartphone-ve, krahasuar me 12 për qind të 12-vjeçarëve pa pajisje.
Sa i përket gjumit, 47 për qind e 12-vjeçarëve me telefona raportuan mungesë gjumi (më pak se nëntë orë në natë), krahasuar me 31 për qind të bashkëmoshatarëve pa telefon. Fëmijët që kishin telefon deri në moshën 13 vjeç kishin më shumë gjasa të raportonin probleme të shëndetit mendor (përfshirë depresionin) dhe mungesë gjumi sesa ata që nuk kishin. Megjithatë, nuk pati ndryshim të dukshëm në rrezikun e obezitetit gjatë atij viti.
Studiuesit pranojnë se përdorimi i telefonit mund të ketë përfitime, siç kanë treguar edhe studime të tjera, por duan të shohin më shumë përpjekje për t’u siguruar që këto pajisje të përdoren me përgjegjësi.
“Për shumë adoleshentë, smartphone-t mund të luajnë një rol konstruktiv duke forcuar lidhjet sociale, duke mbështetur të nxënit dhe duke ofruar qasje në informacion dhe burime që nxisin zhvillimin personal. Po ashtu, disa familje mund ta shohin smartphone-in si të domosdoshëm për sigurinë ose komunikimin”, thotë Barzilay.
Gjetjet lidhen me atë që dihet tashmë për të rriturit dhe smartphone-t: se këto pajisje mund të rrisin stresin, të na bëjnë të ndihemi më të shpërqendruar dhe të lodhur dhe të ndryshojnë mënyrën se si truri ynë funksionon.
Në të ardhmen, studiuesit duan të shohin se sa ndikon koha para ekranit dhe llojet e ndryshme të aplikacioneve në këto rezultate, si mund të shtrihen gjetjet gjatë periudhave më të gjata të adoleshencës dhe çfarë masash parandaluese mund të vendosen.
“Është thelbësore që të rinjtë të kenë kohë larg telefonave të tyre për t’u angazhuar në aktivitet fizik, i cili mund të mbrojë nga obeziteti dhe të përmirësojë shëndetin mendor me kalimin e kohës”, thotë Barzilay.


