Bota

Të rinjtë vendimtarë në referendum, Gjenerata Z i jep goditje Giorgia Meloni

Referendumi i fundit në Itali nxori në pah një aktivizim të fortë të të rinjve, të cilët duket se ndikuan drejtpërdrejt në rezultatin final.

Pjesëmarrja në rang kombëtar arriti në 58.9%, por te grupmosha 18–28 vjeç shifra ishte dukshëm më e lartë, 67%. Brenda këtij grupi dominoi vota “Jo”, me rreth 58.5%.

Të dhënat tregojnë një ndarje të qartë sociale: qytetarët me arsim të lartë dhe të diplomuar u shfaqën më kritikë ndaj ndryshimeve, ndërsa vota “Po” gjeti më shumë mbështetje tek amviset. Në qendrën politike, përkrahja për ligjin mbeti e ulët, duke mos kaluar 31%.

Analistët e lidhin këtë pjesëmarrje të lartë, sidomos tek të rinjtë, me faktin që referendumi u politizua fort. Për shumë votues, pesha kryesore nuk ishte përmbajtja teknike e reformës, por pasojat politike që ajo mund të sillte. Ndërkohë, një pjesë e elektoratit që kishte qëndruar jashtë zgjedhjeve të mëparshme, si ato të 2022 dhe europianet e 2024, u rikthye në votim dhe ndikoi në rezultatin “Jo”.

Sipas analizave demografike, studentët dhe të rinjtë kishin pjesëmarrjen më të lartë, ndërsa më pasivë rezultuan të moshuarit dhe shtresat ekonomikisht të pakënaqura. Për Gjeneratën Y (29–44 vjeç) u vu re niveli më i lartë i abstensionit, me gati gjysmën që nuk votuan, megjithëse edhe këtu “Jo” mbeti në avantazh.

Nga ana politike, mobilizimi ishte më i dukshëm në krahët ekstremë, ndërsa qendra dhe qendër-djathtas u shfaqën më pak aktive. Brenda partive, u vunë re edhe lëvizje të brendshme në qëndrime, me një pjesë të votuesve që nuk ndoqën linjën zyrtare.

Edhe analiza sipas të ardhurave tregon të njëjtin trend: “Jo” mbizotëroi tek shtresat më të arsimuara dhe ekonomikisht më të qëndrueshme, ndërsa “Po” ishte më i përhapur tek grupet me nivel më të ulët arsimor.

Sipas mediave italiane, përfshirë Corriere della Sera, rezultati shihet si një sinjal i qartë pakënaqësie ndaj qeverisë së drejtuar nga Meloni, e cila përballet me presion në rritje për shkak të situatës ekonomike dhe tensioneve ndërkombëtare.

/tiranapost

Të Ngjashme