Lajme

Të shtëna arme për… një gotë alkool! Detaje nga ngjarja në Mullet: Ja si nisi konflikti mes 53-vjeçarit dhe të riut

Të tjera detaje janë bërë me dije në lidhje me arrestimin e 53-vjeçarit Fatjon Çeliku, pasi qëlloi me armë zjarri në ajër pas një konflikti me një person, në një lokal në Mullet.

Mësohet se debati me 23-vjeçarin A. H ka nisur për një gotë alkool. Fatjon Çeliku, kishte shkuar në biznesin familjar të 23-vjeçarit dhe kishte kërkuar të konsumonte alkool.

I riu nuk pranoi t’i shërbente, pasi Çeliku njihej në zonë si person problematik dhe refuzimi solli një debat mes tyre.

Pas konfliktit, 53-vjeçari u largua nga lokali dhe shkoi në banesën e tij, ku dyshohet se mori një pistoletë që e posedonte pa leje. Pak më vonë, Çeliku u rikthye pranë lokalit ku ndodhej 23-vjeçari dhe qëlloi me armë zjarri në ajër, dyshohet me qëllim kanosjen e të riut.

Pas njoftimit për të shtënat, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 shkuan menjëherë në vendngjarje. Falë ndërhyrjes së shpejtë, u parandalua përshkallëzimi i konfliktit dhe 53-vjeçari u arrestua në flagrancë.

Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi edhe pistoletën.

Të Ngjashme