Shumë kryesues e komisionerë janë ndaluar e ndodhen në paraburgim kjo për shkak të dyshimeve për manipulime të votave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Të mërkurën, ndaj 15 kryesuesve zgjedhorë në Komunën e Malishevës është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, tha se gjatë aksionit cak ishin 18 kryesues dhe 50 komisionerë.
Ata dyshohen për veprën penale “falsifikim i rezultatit të votimeve”.
Gashi tha se të mërkurën u intervistuan 15 kryesues, që u dërguan në ndalim dhe 43 komisionerë. Për komisionerët tha se do të vendoset nëse do të ndërmerret ndonjë masë sigurie, pasi ata janë intervistuar pas kryesuesve.
Ndërkaq, tre kryesuesit dhe shtatë komisionerët e tjerë, të cilët nuk u morën në pyetje, nga Policia e Kosovës thanë se do të merren më vonë, pasi mund të jenë jashtë vendit.
Kryeprokurori Gashi ka thënë se deri më tani nuk po zhvillohen hetime ndaj ndonjë kandidati për deputetë, por tha se në fazat e mëvonshme, “varësisht nga rezultati i hetimit dhe provat që sigurojmë deri në një fazë të caktuar, dhe prokurori, kuptohet se mund të ftohet për intervistim”.
“Në Malishevë janë 75 vendvotime. 9.057 vota janë të shtuara, 7.996 të hequra. Pra, gjithsej në total kemi 17.053 vota”, u shpreh Gashi
Ai shtoi se edhe në Komunë e Gjakovës, ku është vërtejtur mospërputhje e votave, janë në kontakt me policinë, e cila po grumbullon prova.
Rinumërimi në Malishevë – komunë në pjesën qendrore të vendit – ka përfunduar tashmë dhe ai tregon një dallim në votat për kandidatët për deputetë. Të paktën tre kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës u janë hequr nga mbi 700 votat secilit në këtë komunë.
Aksioni në Malishevë vjen pak ditë pas aksionit në Prizren, ku u ndaluan 109 persona për veprën penale “falsifikim i rezultateve të votimit”.
Pas Prizrenit dhe Malishevës, autoritetet janë duke kryer hetime edhe në Ferizaj e Drenas dhe rreth kësaj çështje ka folur për “Bota sot”, gazetari Gëzim Olluri.
Olluri thotë se fillimisht duhet të zbardhet e gjithë skema dhe kush janë regjisorët.
Sipas tij, mbase edhe në procese zgjedhore tjera gjatë numërimit mund të ketë pasur gabime, por në rastin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit vërehet një orkestrim për manipulim e vjedhje votash nga klika të caktuara.
“Sa i përket manipulimit të votave, fillimisht duhet të zbardhet e vërteta nga organet e drejtësisë, në mënyrë qa ta kemi një pasqyrë se çfarë ka ndodhë. Pra, si ka ngjarë e gjithë skema, kush janë regjisorët. Nuk duhet harruar që në procese të tilla zgjedhore gjatë numërimit mbase edhe mund të ketë gabime, por në rastin e zgjedhjeve të 28 Dhjetorit 2025, vërehet një orkestrim për manipulim e vjedhje votash nga klika të caktuara. Kush del përgjegjës, këto punë i takojnë institucioneve të drejtësisë dhe para ligjit duhet të përgjigjet secili akter i përfshirë pa përjashtim. Në fund, përgjegjësia është tek ai që korrupton dhe tek ai që korruptohet”, deklaron Olluri.

Gëzim Olluri
Ai kërkon hetim të detajuar rreth procesit.
“Nëse dëshmohen parregullsi, natyrisht që duhet të ketë pasoja ligjore, çfarë nënkupton se duhet të zhbëhen përfitimet, benefitet, përfshirë edhe mandatet e fituara eventualisht. Megjithëse ky proces kërkon një hetim të detajuar për të ardhur deri tek një gjykim i drejtë dhe i bazuar në aspekte ligjore. Kryeprokuri i Prizrenit, Petrit Kryeziu, është duke bërë punë të madhe në këtë drejtim dhe rrugën e tij duhet ta ndjekin edhe të tjerët”, shton gazetari.
Ndaj votave të shtuara, kanë reaguar kandidatët për deputetë, duke mohuar përshirjen, ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë thirrje për hetim gjithëpërfshirës dhe ndëshkim për personat e dyshuar për manipulim të votave brenda partive politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Në anën tjetër, gazetari Olluri thotë se Kosova ka dëshmuar që di, mundet dhe ia del të organizojë zgjedhje demokratike.
Sipas tij, përgjegjësia bie mbi kandidatët brenda subjekteve politike dhe procesi zgjedhor nuk duhet të cilësohet jo-demokratik.
“Sa i përket zgjedhjeve në tërësi, unë mendoj që Kosova e ka dëshmuar që di, mundet dhe ia del te organizojë zgjedhje demokratike. Veçmas kur dora e agjenturave armiqësore nuk arrin të ketë ndikim në teren, kjo është temë në vete, por nuk përjashtohet. Në anën tjetër, fakti që dikush ka provuar a vjedh vota duke i dëmtuar kolegët a kandidatët brenda subjekteve politike, atëherë përgjegjësia bie mbi ta, por jo tek të gjithë, aq më pak që i gjithë procesi zgjedhor të cilësohet si jo-demokratik. Duhet ta rithem, nuk mund të përfshihen të gjithë në një adresë për shkak të disa individëve a grupeve që e kanë dëmtuar integritetin e zgjedhjeve”, përfundon Olluri.
