Sipas studiuesve italianë, teksti i sapo deshifruar nga rrotullat e lashta mund të ketë zbuluar më në fund vendndodhjen e varrosjes së filozofit grek Platoni.
Të ashtuquajturat rrotullat e papirusit Herculaneum , të cilat u karbonizuan pasi u varrosën nën shtresat e hirit vullkanik pas shpërthimit të malit të Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit, vazhdojnë të ekzaminohen nga ekspertët duke përdorur inteligjencën artificiale dhe teknologji të tjera.
Zbulimi i fundit është se Platoni besohet të jetë varrosur në një kopsht të fshehtë pranë faltores së shenjtë të Muzave brenda Akademisë Platonike të Athinës që ishte rezervuar për të, sipas Graziano Ranocchia, profesor i Papirologjisë në Departamentin e Filologjisë, Letërsisë dhe Gjuhës në Universitetin e Pizës.
Akademia Platonike u shkatërrua në vitin 86 para Krishtit nga gjenerali romak Sulla. Teksti i sapo deshifruar gjithashtu i jep më shumë qartësi rrethanave rreth mënyrës sesi Platoni u shit si skllav në vitin 399 para Krishtit pas vdekjes së Sokratit ose në 404 para Krishtit në ishullin Egina pasi ishulli u pushtua nga spartanët, tha Ranocchia.
Teksti është pjesë e rreth 1800 rrotullave të karbonizuara të zbuluara në shekullin e 18-të në një ndërtesë që besohet se i përkiste vjehrrit të Julius Cezarit, i cili jetonte në Herculaneum, një qytet bregdetar rreth 20 kilometra nga Pompei.
Ekspertët po përdorin AI së bashku me tomografinë e koherencës optike, një teknikë imazherie dhe teknologjinë e imazhit hiperspektral infra të kuqe për të lexuar sekuencat e tekstit të fshehur më parë nga papiruset që ishin shkatërruar pjesërisht.
Zbulimi i fundit erdhi nga një pasazh prej më shumë se 1000 fjalësh rreth 30% e tekstit që ishin deshifruar dhe ri-deshifruar gjatë vitit të kaluar, sipas Ranocchia, i cili prezantoi gjetjet në Universitetin e Napolit më 23 prill.
/rtsh.al/