Kuriozitete

Telefoni “Barbie” del në shitje – Prodhuesit synojnë të ulin varësinë nga telefonët inteligjentë

A mund të ndihmojë kukulla “Barbie” për të mposhtur varësinë e të rinjve nga telefonat inteligjentë? Nisur nga kjo pyetje kompania HMD Global, e cila prodhon edhe telefonat e markës Nokia, pasi bashkoi forcat me prodhuesin e lodrave Mattel, hodhi në treg telefonin Barbie, një pajisje me ngjyrë rozë si kukulla e famshme. Telefoni nuk ka lidhje me internetin, as ekran me prekje, por vjen me tastierën e vjetër me shkronja dhe numra, ku mund të gjenden ikona me palma, zemra dhe flamingo, të cilat ndriçojnë në errësirë.

Kjo pajisje ka një çmim prej 99 paund në Britani dhe lejon përdoruesit të bëjnë telefonata dhe të dërgojnë mesazhe me tekst, por nuk u jep akses aplikacioneve të mediave sociale. Kompania e ka krijuar atë pajisje si një telefon që sjell stil, nostalgji dhe një detox dixhital shumë të nevojshëm, mbase për të gjitha moshat.

Duke qenë se shumica e njerëzve sot nuk mund ta imagjinojnë jetën pa një smartphone dhe aplikacionet e shumta që përdoren çdo ditë, telefoni ‘Barbie’ pritet të jetë një pajisje që mund të përdoret në situatat kur njerëzit duan të shkëputen nga përditshmëria digjitale dhe duan të kenë një pajisje vetëm për të komunikuar me të dashurit e tyre.

Ka thirrje në rritje nga prindërit dhe aktivistët për të kufizuar kohën që fëmijët kalojnë në telefonat inteligjentë, apo edhe për të ndaluar plotësisht ato pajisje, mes shqetësimeve të shumta se ata mund të ekspozohen ndaj përmbajtjeve të dëmshme ose të paligjshme në internet. Hedhja në treg e telefonit “Barbie” përkon me ditëlindjen e 65-të të kukullës më të famshme në botë.

/RTSH/